Ndërlidhjet

DASH: Sali Berishës i ndalohet hyrja në SHBA


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.

“Këta individë nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkuara e arsyetojnë vendimin me faktin se, i njëjti është në vazhdën e riafirmimit të përkrahjes së SHBA-së, për reformat kryesore politike dhe institucionet demokratike të Shqipërisë.

“Me shpalljen e këtij vendimi, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucioneve dhe zyrtarëve publikë të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Blinken.

Shtetet e Bashkuara theksojnë gjithashtu se në kurriz të hetimeve të pavarura, Berisha përmes retorikës së tij, ka treguar se është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes dhe aleatët e tij.

Berisha reagon pas vendimit të DASH-it

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se për ndalimin e hyrjes së tij dhe të familjes së tij në SHBA, ka mësuar përmes mediave.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha kërkoi që të bëhen publike të gjitha dokumentet që e përfshin atë në korrupsion, duke shtuar se sa ka qenë në postin e presidentit dhe kryeministrit, ai ka mbrojtur interesin publik kombëtar.

“Unë kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri. Po kështu unë kam mbështetur reformën në drejtësi e te gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë”, tha Berisha.

Lidhur me vendimin e DASH-it ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, duke kujtuar “ata që vdiqën për korrupsionin e familjes dhe viktimat nga shpërthimi i Gërdecit”.

“SHBA-ja ia ndaloi hyrjen në vend familjes Berisha dhe familja e tij ndalohen për shkak të korrupsionit dhe luftës ndaj demokracisë. Në këtë moment, të vetmit që më vijnë në mendje janë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda, Aleks Nika, të pushkatuar për të mbrojtur korrupsionin e familjes; 26 të vrarët nga shpërthimi i korrupsionit të familjes në Gërdec”, shkruan Braçe.

Në “listën e zezë” të Departamentit amerikan të Shtetit janë edhe disa ish-zyrtarë dhe figura politike të Shqipërisë. Ndalim të hyrjes në SHBA kanë ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ish-kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla dhe kryetari i Partisë Social-Demokrate, Tom Doshi. Hyrja në SHBA këtyre personave u është ndaluar me arsyetimin e kryerjes së veprimeve korruptive.

Kush është Sali Berisha?

Sali Berisha është presidenti i parë i Shqipërisë pas rrëzimit të totalitarizmit 50 vjeçar të Shqipërisë. Ardhja e tij në krye të vendit në vitin 1992 shënoi hapjen e parë të Shqipërisë drejt demokratizimit dhe një epokë të re në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën, përfshirë SHBA-në.

Berisha ishte presidenti i parë i Shqipërisë që pas gjysmë shekulli u prit për herë të parë nga një president amerikan në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë nga George Bush (i vjetri) – takim ky që e vendosi Shqipërinë si aleatin më të madh të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Në kohën sa Berisha ishte kryemistër, më 2011, Shqipërinë e vizitoi presidenti amerikan, George W. Bush, prej ku dhe shprehu përkrahjen për pavarësinë e Kosovës. Tetë muaj pas vizitës së Bushit në Shqipëri, Kosova shpalli pavarësinë.

Përveç takimit në Zyrën Ovale me George Bush, Berisha kishte pritur në vizitë zyrtare në Shqipëri, presidentin amerikan, George W.Bush. Kjo vizitë ishte realizuar më 10 qershor, 2007.
Përveç takimit në Zyrën Ovale me George Bush, Berisha kishte pritur në vizitë zyrtare në Shqipëri, presidentin amerikan, George W.Bush. Kjo vizitë ishte realizuar më 10 qershor, 2007.

Në mandatin e parë si president i vendit, Berisha mbikëqyri ndryshimet e mëdha shoqërore - nga një shoqëri e mbyllur në kalimin drejt një shoqërie me treg të hapur dhe reforma demokratike.

Ai mbikëqyri krijimin e institucioneve, hartimin e Kushtetutën e Shqipërisë si Republikë demokratike dhe u përball me sfidat e tranzicionit që pa një numër të madh të shqiptarëve që migronin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, për t’i ikur varfërisë.

Përgjatë viteve të 90-ta Berisha u përball me shpërbërjen e Jugosllavisë fqinje dhe luftërat që e përcollën atë, përfshirë përshkallëzimin e situatës në Kosovë dhe rrëshqitjen e saj drejt luftës.

Pika më kundërthënëse e qeverisjes se tij në mandatin e dytë si president ishte lejimi i funksionimit të skenave piramidale, kolapsimi i të cilave e çoi Shqipërinë në luftë civile, pasi një numër i madh i qytetarëve humbën kursimet jetësore me vlerë 1.2 miliard dollarë.

Në vitin 1997 shteti i Shqipërisë kolapsoi ekonomikisht dhe politikisht dhe vendi u zhyt në anarki, me qytetarët që thyen depot e armëve për t’i përdorur ato kundër fraksioneve të ndryshme komunitare. Konflikti civil në Shqipëri la mbi 2 mijë persona të vdekur.

Persona të armatosur në Tiranë më 12 mars, 1997. Në këtë vit, Shqipëria u përfshi në luftë civile ku vdiqën mbi 2 mijë persona.
Persona të armatosur në Tiranë më 12 mars, 1997. Në këtë vit, Shqipëria u përfshi në luftë civile ku vdiqën mbi 2 mijë persona.

Kjo çoi në dorëheqjen Berishës si president në vitin 1997, duke i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe krijimit të një qeverie teknike, e cila kishte për qëllim stabilizimin e Shqipërisë.

Në këtë periudhë, Berisha vazhdoi të luajë rol të rëndësishëm në politikën shqiptare, si kreu i opozitës deri në vitin 2005, kur partia e tij fitoi zgjedhjet dhe ai u bë kryeministër për dy mandate. Ai u rikthye në pushtet në vitin 2005. Gjatë mandatit të tij si kryeministër, Berisha synoi ta bëjë Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe më 2009, Shqipëria iu bashkua Aleancës Veri-atlantike.

Në vitin 2013 ai dha dorëheqje si kryetar i Partisë Demokratike, pasi partia e tij humbi zgjedhjet. Megjithatë, ai mbeti pjesë e partisë me përfaqësi në kuvend.

Gërdeci

Në mes të mandatit të tij si kryeministër, në periudhën 2005-2013 kur Partia Demokratike ishte rikthyer për ta qeverisur Shqipërinë, Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.

Një ushtar i Shqipërisë në Gërdec, ku ndodhi shpërthimi në depon e armëve.
Një ushtar i Shqipërisë në Gërdec, ku ndodhi shpërthimi në depon e armëve.

Njëzetegjashtë persona, përfshirë fëmijë, mbetën të vdekur teksa po përpunonin armatimin e vjetër të periudhës komuniste, si pjesë e një kontrate me një kompani private që po furnizonte këtë lloj armatimi për ushtrinë afgane, pas ndërhyrjes amerikane në Afganistan.

Hulumtime të shumta e kanë nxjerrë Berishën, familjarët dhe persona tjerë të afërt në qendër të këtij incidenti me përmasa ndërkombëtare, me djalin e tij që besohet të ketë qenë pjesë e kësaj kontrate.

Problemet me ndërkombëtarët

Qeverisja e Berishës, sikurse edhe e rivalëve të tij politikë, është përcjellë me tensione të cilat shpeshherë, është vlerësuar se kanë minuar progresin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave demokratike, në veçanti rreth sundimit të ligjit.

Përgjatë karrierës së tij, Sali Berisha ka pasur përplasje me faktorin ndërkombëtar për ndërhyrje në drejtësi - në vitin 1995 kur shkarkoi gjyqtarin Zef Brozi nga Gjykata e Lartë dhe arrestimin e liderëve të minoritetit grek në Tiranë.

Përplasja u thellua në maj 1996 ku SHBA-ja nuk njohu zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat u përdor dhunë mbi opozitën dhe ku komisionerët e saj u larguan nga qendrat e votimit.

Më pas në 21 janar 2011, SHBA-ja angazhoi Byronë Federale të Hetimeve (FBI) për të kryer verifikimet shkencore të plumbave që vranë 4 persona në protestat e Partisë Socialiste, që në atë kohë ishte në opozitë.

Protestat e opozitës në Shqipëri. Tiranë, 18 maj, 2011.
Protestat e opozitës në Shqipëri. Tiranë, 18 maj, 2011.

Një përplasje tjetër ishte mbi reformën në drejtësi – ku ambasadori amerikan i asaj kohe bëri përpjekje për të bindur palët për të miratuar ndryshimet kushtetuese. Berisha kishte thënë se ambasadorët me misione në Shqipëri, po sillen si guvernatorë.

Shqipëria shpeshherë është parë si peng i këtyre akterëve politikë, duke e lënë atë vendin më të pazhvilluar dhe më të varfër në Evropë.

XS
SM
MD
LG