Ndërlidhjet

Shtohet zemërimi ndaj Bjellorusisë për devijimin e aeroplanit civil


Aeroplani i Ryanair që u detyrua të ulej në Minsk të Bjellorusisë.

Evropa ka shprehur zemërim me Bjellorusinë për shkak të devijimin të detyruar dhe uljen e një aeroplani të Ryanair në Minsk, në të cilin gjendej një gazetar i shquar i opozitës.

Autoritetet bjelloruse kanë aktivizuar një aeroplan ushtarak për të përcjellë aeroplanin civil, i cili ka qenë në rrugë në Vilnius nga Athina më 23 maj, për atë që në fund doli të ketë qenë alarm i rremë për bombë. Kur aeroplani është ulur, policia ka ndaluar Raman Pratasevich, 26-vjeç, aktivist opozitar dhe gazetar, i cili përballet me akuza në Bjellorusi, për të cilat mund të mbetet 15 vjet në burg.

Policia duke arrestuar gazetarin, Roman Protasevich. Minsk, 26 mars, 2017.
Policia duke arrestuar gazetarin, Roman Protasevich. Minsk, 26 mars, 2017.

Bashkimi Evropian ka kërcënuar me sanksione ndaj liderit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Duke e dënuar veprimin me tone të ashpra, udhëheqja e Bashkimit Evropian dhe shumë qeveri perëndimore akuzuan Bjellorusinë për "piraterinë e aviacionit" ndërsa kërkuan një hetim të plotë të incidentit.

Letonia njoftoi se ka dëbuar ambasadorin bjellorus dhe të gjithë diplomatët.

Bjellorusia më herët dëboi ambasadorin e Letonisë në Minsk dhe të gjithë punonjësit e ambasadës përveç një anëtari të stafit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Bjellorusi Belta.

Letonia ndan një kufi me Bjellorusinë.

Presidenca franceze tha se një kërkesë i ishte dërguar Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për të pezulluar fluturimet ndërkombëtare mbi hapësirën ajrore Bjelloruse.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se “përmes këtij akti autoritetet bjelloruse kanë rrezikuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit". Ai bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për rastin.

“Kjo është edhe një përpjekje tjetër e qartë nga autoritetet bjelloruse për të heshtur të gjithë zërat e opozitës. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Pratasevich”, shtoi ai.

Më herët, Bashkimi Evropian, Belgjika dhe Republika Çeke kanë thirrur ambasadorët bjellorusë për të protestuar kundër uljes së detyruar të aeroplanit.

BE-ja ka vendosur tashmë tre raunde sanksionesh kundër Bjellorusisë dhe ishte duke përgatitur një raund të katërt.

Bjellorusia është tronditur nga protestat që kur Lukashenka - në pushtet që nga viti 1994 - u shpall fituesi i zgjedhjeve presidenciale në gusht të vitit 2020. Perëndimi dhe opozita i konsiderojnë zgjedhjet e manipuluara.

Opozita thotë se Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila u arratis në Lituaninë fqinje pas zgjedhjeve për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë e saj, ishte fituesja e vërtetë e votave.

XS
SM
MD
LG