Ndërlidhjet

Greqia kundërshton komentet e ministrit turk për pakicën myslimane


Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Greqia ka reaguar me zemërim ndaj një deklarate të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, i cili tha se anëtarët e një pakice myslimane në Greqinë veriore janë turq dhe që ata nuk gëzojnë të drejtat e plota qytetare.

Deklarata e ministrit Çavusoglu, u bë gjatë një vizite private në rajonin verior grek të Thrakisë, një ditë para takimeve të tij zyrtare në Athinë me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e jashtëm, Nikos Dendias.

"Ne dëshirojmë që turqit në Thraki të gëzojnë të njëjtat të drejta që i sigurojmë ne Kishës Ortodokse Greke dhe pakicës greke", tha Çavusoglu.

Një shekull pasi të dy vendet bënë një luftë që zhvendosi më shumë se një milion njerëz në të dy anët e kufirit, Turqia thotë se komuniteti mysliman me rreth 120,000 njerëz në rajon është një pakicë turke, një pozicion i refuzuar nga Athina, e cila i quan ata si myslimanë grekë.

"Përpjekjet e vazhdueshme të Turqisë për të shtrembëruar realitetin, si dhe pretendimet e saj për mungesë të mbrojtjes së të drejtave të këtyre shtetasve ose diskriminim, janë të pabazuara dhe refuzohen plotësisht", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Greke, Alexandros Papaioannou, përmes një deklarate për media.

Të dyja vendet - anëtare të aleancës së NATO-s - janë në mosmarrëveshje për çështje të ndryshme, që nga pretendimet territoriale detare në Mesdheun lindor deri te statusi i Qipros dhe problemi me migrantët.

Vitin e kaluar, Turqia dhe Greqia ishin afër një konflikti të armatosur kur anijet detare të tyre ishin afër njëra-tjetrës gjatë një mosmarrëveshjeje për kërkimet e gazit.

Tensionet janë lehtësuar pak muajt e fundit pasi zyrtarët rifilluan bisedimet mbi mosmarrëveshjet e tyre pas një ndërprerjeje pesë-vjeçare.

XS
SM
MD
LG