Ndërlidhjet

Kreshnik Radoniqi, kryetar i ri i KQZ-së


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i ri i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e ka emëruar gjyqtarin Kreshnik Radoniqi si kryetar të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Emërimi i gjyqtarit Kreshnik Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të siguroj që integritet i KQZ nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësoj mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Kosovës”, thuhet në vendimin e presidentes.

Kryetari i ri i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Gjyqtari Radoniqi, në vitin 2006 ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA.

Më herët presidentja Osmani e shkarkoi nga detyra kryetaren e deritashme të KQZ-së, Valdete Daka.

Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

Më herët gjatë të hënës, Radio Evropa e Lirë raportoi se gjatë takimit në mes të Dakës dhe presidentes, Osmani, kjo e fundit i kërkoi Dakës dorëheqjen nga kreu i KQZ-së, në këmbim të një "mirënjohjeje".

Por, Daka refuzoi të japë dorëheqjen, pasi siç ka thënë ajo, "ka kryer detyrën në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

XS
SM
MD
LG