Ndërlidhjet

Vaksina e Novavax mbi 90% efektive kundër COVID-19


Foto ilustrim.
Foto ilustrim.

Kompania Novavax njoftoi të hënën (14 qershor) se vaksina e saj kundër COVID-19 ishte më shumë se 90% efektive gjatë testimeve të fazës së tretë.

Efektiviteti i saj, sipas kompanisë, është treguar ndaj një shumëllojshmërie variantesh shqetësuese të koronavirusit.

Në studim morën pjesë rreth 30.000 vullnetarë në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë.

Kompania tha se këto rezultate i hapin rrugë Novavax-it për të kërkuar autorizimin urgjentë të përdorimit në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë në tremujorin e tretë të vitit 2021, raporton Reuters.

Vaksina e kësaj kompanie bazohet në proteina dhe ato prodhohen në atë mënyrë që përdorin copëza të pastruara të virusit për të nxitur një përgjigje të imunitetit.

Në mesin e të testuarve ka pasur persona me variantet e koronavirusit të identifikuara për herë të parë në Brazil, Afrikë të Jugut dhe Indi, tha kreu i hulumtimeve dhe zhvillimit në Novavax, Gregory Glenn.

Vaksina ishte 91% efektive midis vullnetarëve me rrezik të lartë të infeksionit të rëndë dhe 100% efektive në parandalimin e rasteve të moderuara dhe të rënda të COVID-19.

Novavax tha se vaksina përgjithësisht pranohej mirë nga organizmi i të testuarve.

Efektet anësore përfshinin lodhje, dhimbje koke, të muskujve por ishin simptoma përgjithësisht të lehta.

Një numër i vogël i pjesëmarrësve përjetuan efekte anësore të vlerësuara si të rënda.

Novavax është kompani amerikane e bioteknologjisë. Ajo planifikon që të prodhojë 250 milionë doza deri në fund të vitit 2021.

XS
SM
MD
LG