Ndërlidhjet

Kina dërgon aeroplanë ushtarakë në afërsi të Tajvanit


Një aeroplan ushtarak kinez. Foto nga arkivi.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se rreth 28 avionë ushtarakë kinezë fluturuan në zonën e mbrojtjes, duke shënuar ndërhyrjen më të madhe ushtarake deri më tani.

Në mesin e fluturakeve ushtarake kishte edhe bombardues bërthamorë.

Zona e mbrojtjes ajrore është një zonë jashtë territorit dhe hapësirës ajrore të një vendi ku aktivitetet e aeroplanëve të huaj identifikohen, monitorohen dhe kontrollohen për interesa të sigurisë kombëtare.

Incidenti vjen pasi udhëheqësit e NATO-s të hënën në samitin e mbajtur në Bruksel, paralajmëruan për rreziqet ushtarake që paraqet Kina.

Tajvani është një rajon demokratik dhe thotë se është një shtet sovran, ndërsa Pekini e sheh ishullin si një provincë të shkëputur.

Kina gjatë muajve të fundit ka kryer rregullisht fluturime mbi ujërat midis pjesës jugore të Tajvanit dhe Ishujve Pratas.

Të hënën më (14 qershor) udhëheqësit e NATO-s në një samit në Bruksel i quajtën veprimet ushtarake kineze një "rrezik sistematik".

Sipas tyre Kina po e zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor.

Gjatë fundjavës, udhëheqësit e G7-ës (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar) i kërkuan Kinës të "respektojë të drejtat e njeriut ". G7 dënoi shkeljet kundër pakicës myslimane ujgure dhe goditjen e aktivistëve pro-demokracisë në Hong Kong.

Të dyja deklaratat u kritikuan dhe u hodhën poshtë nga Kina.

XS
SM
MD
LG