Ndërlidhjet

BE-ja bie dakord për sanksione të reja ndaj Bjellorusisë


Flamuri i Bashkimit Evropian.
Flamuri i Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka rënë dakord për të vendosur sanksione ndaj 78 individëve dhe shtatë entiteteve të Bjellorusisë për shkak të uljes së detyruar të aeroplanit të një linje ajrore evropiane, thanë diplomatët, transmeton AFP.

BE-ja po e ndëshkon Bjellorusinë për shkak se autoritetet e këtij vendi më 23 maj devijuan dhe e detyruan të ulet në Minsk një aeroplan që udhëtonte nga Greqia për në Lituani. Pasi ateroi në Minsk ata e arrestuan gazetarin dhe aktivistin e opozitës Raman Pratasevich, dhe të dashurën e tij.

Shtatë individë janë sanksionuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në incident ndërsa 71 individë dhe entitete janë shënjestruar për shtypjen ndaj opozitës, thanë diplomatët.

Sanksionet pritet miratohen zyrtarisht të hënën në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së.

BE-ja tashmë ka bllokuar linjat ajrore bjelloruse që të fluturojnë në hapësirën ajrore të bllokut 27 anëtarësh.

Brukseli gjithashtu është duke u angazhuar për të goditur sektorët kryesorë të ekonomisë bjelloruse. Alyaksandr Lukashenka, e ka drejtuar Bjellorusinë që nga viti 1994 dhe gëzon mbështetjen e Rusisë.

Bjellorusia është përfshirë në protesta prej kur Lukashenka është shpallur fitues i zgjedhjeve të mbajtura në gusht të vitit 2020.

Perëndimi dhe opozita bjelloruse besojnë se zgjedhjet janë manipuluar.

Prej atëherë, me dhjetëra mijëra persona janë ndalur, qindra janë rrahur dhe torturuar.

Shefja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, në një intervistë ekskluzive të dhënë në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë më 8 qershor, i bëri thirrje Perëndimit që të vendos sanksione më të ashpra ndaj qeverisë së Alyaksandr Lukashenkas.

Sipas saj, ato janë mënyra e vetme për të dëmtuar regjimin aurotitar të sunduesit të Bjellorusisë.

Pas zgjedhjeve Tsikhanouskaya u largua nga Bjellorusia dhe shkoi në Lituani pasi kishte shqetësime për sigurinë e saj dhe të familjes.

Opozita thotë se zgjedhjet u fituan nga Tsikhanouskaya.

XS
SM
MD
LG