Ndërlidhjet

Mbyllet uzina bërthamore e Iranit për shkak të "defektit teknik"


Impianti bërthamor në Iran.

Agjencia bërthamore e Iranit tha se për shkak të një “defekti teknik” impianti bërthamor i vendit është mbyllur përkohësisht.

"Uzina u hoq nga rrjeti elektrik pas një defekti teknik”, tha Organizata e Energjisë Atomike e Iranit në faqen e saj të internetit.

Sipas kësaj agjencie, kjo uzinë për prodhimin e rrymës që ndodhet në qytetin jugor Bushehr do të rilidhet me rrjetin e energjisë elektrike “brenda disa ditëve të ardhshme".

Një zyrtar nga kompania shtetërore e energjisë elektrike, Gholamali Rakhshanimehr, tha se mbyllja do të zgjasë "tre deri në katër ditë" dhe gjatë kësaj periudhe mund të ketë ndërprerje të energjisë.

Që nga viti 2011 kur ka filluar funksionimin, kjo është hera e parë që Irani raporton një mbyllje emergjente të uzinës në Bushehr.

Objekti është ndërtuar nga Rusia dhe reaktori prodhonte 1000 megavat energji.

Kompanitë ruse dhe iraniane filluan ndërtimin e dy reaktorëve më 2016 dhe përfundimi i tyre pritet të zgjaste 10 vjet.

Termocentrali në Bushehr furnizohet me uranium të prodhuar në Rusi. Teherani e ka për obligim që pajisjet e materialit të shpenzuar t’i kthejë përsëri në Rusi si një masë kundër përhapjes së materialeve të armëve bërthamore.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara, e cila e monitoron objektin, nuk pranoi të komentonte në lidhje me ndërprerjen e prodhimit të energjisë.

XS
SM
MD
LG