Ndërlidhjet

Izraeli lejon disa eksporte nga Gaza


Disa eksporte të tekstilit nga Gaza.

Izraeli ka filluar të lejojë eksportin e kufizuar tregtar nga Rripi i Gazës. Vendimi, të cilin autoritetet izraelite e quajtën të “kushtëzuar” pason armëpushimin e arritur mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit pas një lufte 11 ditore të zhvilluar në muajin maj.

Zyrtarët e kufirit të Gazës thanë se lehtësimi i kufizimeve izraelite do të zgjasë dy deri në tre ditë dhe do të zbatohet për mallrat bujqësore dhe disa tekstile.

Izraeli kontrollon në mënyrë të ashpër vendkalimet e Gazës, me mbështetjen nga Egjipti fqinj. Gjatë luftimeve të muajit maj, kufizimet izraelite u intensifikuan duke ndalur të gjitha eksportet.

Pas arritjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Egjipti, Izraeli tha se disa eksporte do të lejohen të kalojnë përmes territorit të tij që nga e hëna në mëngjes.

"Pas një vlerësimi të sigurisë, është marrë vendimi për të mundësuar eksportin e kufizuar të prodhimeve bujqësore nga Rripi i Gazës", tha Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.

Masa u miratua nga qeveria e kryeministrit të ri izraelit, Naftali Bennett.

Në sektorin e tekstilit punojnë rreth 10.000 njerëz, nga rreth dy milionë banorët e Gazës. Ministria e bujqësisë e Gazës tha se fermerët kishin humbur 16 milionë dollarë për shkak të kufizimeve në eksporte.

Lufta 11 ditore në Gazë filloi pasi militantët palestinezë sulmuan me raketa qytetet e Izraelit pas një periudhe tensionesh në Jerusalem.

Nga luftimet mbetën të vrarë 260 palestinezë, përfshirë disa luftëtarë, thanë autoritetet e Gazës. Në Izrael, 13 njerëz u vranë, duke përfshirë një ushtar, nga raketa të lëshuara nga Gaza, thanë policia dhe ushtria.

Izraeli, SHBA-ja, BE-ja dhe vende tjera e konsiderojnë Hamasin, që udhëheq me Gazën, si organizatë terroriste.

XS
SM
MD
LG