Ndërlidhjet

Tridhjetë ditë paraburgim për shtetasin malazias të arrestuar në Gazimestan


Gjatë liturgjisë në Gazimestan më 28 qershor 2021.

Me kërkesë të Prokurorisë së Kosovës, shtetasit malazias, Risto Jovanoviq i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, avokatja e tij, Jovana Filipoviq.

Mbrojtja tha se më 1 korrik do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit për të kundërshtuar këtë masë.

Jovanoviq do të transferohet në një njësi paraburgimi në Mitrovicën e Veriut.

Ai akuzohet për veprën penale të "nxitjes së urrejtjes kombëtare dhe fetare dhe intolerancës".

Shtetasi malazias, Risto Jovanoviq, u arrestua më 28 qershor, në Gazimestan, 15 kilometra larg Prishtinës, gjatë kremtimit të Vidovdanit.

Ai ka thënë se nuk është fajtor për akuzat me të cilat ngarkohet.

Sipas Policisë së Kosovës, i pandehuri kishte bërë thirrje nacionaliste dhe ka nxitur urrejtje.

Çdo vit, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, festojnë 28 qershorin, festën e Vidovdanit, në Gazimestan, si një përkujtim për vuajtjet e serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Pas arrestimit të Jovanoviqin, Ministria e Jashtme e Malit të Zi tha se Ambasada në Kosovë ka kontaktuar me autoritetet në Prishtinë dhe se do të marrë masa për të mbrojtur shtetasin malazias.

Më parë, partia në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik, i kërkoi qeverisë malazeze të "kërkojë lirimin e menjëhershëm të tij nga vendi partner, Kosova".

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ka thënë se nëse Jovanoviq nuk është autor i krimit, ai duhet të lirohet menjëherë.

Ndryshe, dhjetëra qytetarë janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi në Podgoricë, në natën e 29 qershorit, për të shprehur pakënaqësinë e tyre për arrestimin e Risto Jovanoviqit në Kosovë.

Malaziasit kanë thënë se askush nuk qëndron prapa protestës së organizuar, ndërsa kanë paralajmëruar se do të mblidhen edhe të mërkurën. Protesta e së martës ka zgjatur një orë, nga ora 21 deri në orën 22.

XS
SM
MD
LG