Ndërlidhjet

Dhjetëra të arrestuar në Shqipëri për trafik droge dhe korrupsion


Policia e Shqipërisë. Foto nga arkivi.

Autoritetet e Shqipërisë kanë njoftuar se përmes një operacioni kanë arrestuar rreth 38 persona për trafik droge, korrupsion, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash.

Në mesin e të arrestuarve janë një prokuror, një drejtues i një departamenti qeveritar dhe tre oficer policie, raporton AP.

Struktura e Posaçme e Shqipërisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, tha se në bazë të një hetimi dy-vjeçar, i udhëhequr nga Italia, u dëshmua se të dyshuarit ishin pjesë e katër grupeve ndërkombëtare të krimit, të përfshira kryesisht në trafikun e drogës dhe se ata vepronin në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë.

Njëzet e tetë prej të dyshuarve, përfshirë dy truproje që kanë punuar për një ish-ministër të Brendshëm shqiptar, u arrestuan në Shqipëri.

"Zyrtarët publikë, në disa raste vetë pronarë të drogës, kishin garantuar që lëndët narkotike të destinuara për rajonin italian të Puglias do të mbërrinin atje sigurt ose nga toka ose deti", tha deklarata.

Autoritetet shqiptare do të konfiskojnë pasuri në vlerë të miliona eurove nga pasuria e të dyshuarve, përfshirë apartamente, patundshmëri të ndryshme dhe biznese tjera.

Shqipëria, dikur ishte një vend prodhues kryesor evropian i marihuanës dhe një pikë kyçe e kontrabandës së saj.

Shtatë vjet më parë për shkak të një fushate të autoriteteve u ul ndjeshëm numri i plantacioneve të kanabisit, por operacionet e vazhdueshme kundër trafikut të drogës dëshmojnë se trafikantët ende kërkojnë vende alternative për të rritur ose ruajtur marihuanën dhe janë bërë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të lëndëve tjera narkotike më të forta.

XS
SM
MD
LG