Ndërlidhjet

Gjykata i jep të drejtë Dragica Gashiqit të qëndrojë në banesën e saj


Dragica Gashiq flet në telefon nga banesa e saj në qytetin e Gjakovës, më 28 korrik 2021.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka hedhur poshtë kërkesën për masë të përkohshme ndaj Dragica Gashiqit të bërë në padinë e Komunës së Gjakovës.

Komuna e Gjakovës kishte kërkuar që gjykata të vendosë masën e sigurisë, përmes së cilës, Dragica Gashiqit do t'i ndalohej "që personalisht të qëndrojë, shfrytëzojë apo banojë në banesë dhe të njëjtën mos ta rinovojë si dhe të mos bëjë asnjë ndryshim".

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore më 9 gusht, gjyqtari i çështjes, Malsor Kryeziu, e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e paditëses, përkatësisht Komunës së Gjakovës, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Aty thuhet se procedura në këtë çështje juridike – kontestimore - do të vazhdojë sipas rregullave të procedurës kontestimore dhe se kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej shtatë ditësh.

Rrjedhimisht, Gashiqit i lejohet të qëndrojë në banesën në të cilën ishte kthyer në fillim të muajit qershor.

Agjencia Kosovare e Pronës (Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronave) e liroi banesën e Dragica Gashiqit në Gjakovë, ku ajo u vendos më 9 qershor. Deri atë ditë, në këtë banesë kishte jetuar një familje shqiptare nga Kosova.

Gashiq u bë serbja e parë që u kthye në Gjakovë, që pas përfundimit të luftës më 1999.

Vendimin për dhënien e banesës Dragica Gashiqit, më 1997, në kohën e pushtetit serb, e kishte marrë Kuvendi i atëhershëm Komunal i Gjakovës. Banesa i ishte dhënë me qira, për një periudhë të pacaktuar kohore, thuhej në kontratën e publikuar nga subjekti politik, Alternativa i Mimoza Kusari-Lila, e cila është pjesë e ekzekutivit.

Në fund të muajit qershor, Dragica Gashiq u përpoq të ndryshonte derën e banesës dhe ta zëvendësonte atë me një të blinduar, por policia nuk e lejoi atë, me arsyetimin se ajo duhet të marrë një leje në komunë për diçka e tillë.

Pas kthimit të saj në Gjakovë, njëmbëdhjetë organizata joqeveritare nga kjo komunë i dorëzuan një peticion Qeverisë së Kosovës duke kërkuar largimin e saj nga Gjakova.

Dyshohet se Dragica Gashiq është e padëshirueshme në Gjakovë sepse ka punuar në policinë serbe në periudhën e paraluftës, por ajo pretendon se nuk i ka bërë dëm askujt dhe se ishte vetëm pastruese në polici.

Më shumë se një mijë civilë shqiptarë, kryesisht burra, u vranë në Gjakovë gjatë luftërave të vitit 1998 dhe 1999. Disa prej tyre janë në listën e personave të zhdukur.

Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar ende ndaj rastit të Dragica Gashiqit.

XS
SM
MD
LG