Ndërlidhjet

Tsikhanouskaya paralajmëron Evropën për rrezikun nga Lukashenka


Liderja e opozitës Bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Liderja e opozitës në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya, ka thënë se regjimi i Alyaksandr Lukashenkas paraqet kërcënim për gjithë Evropën, derisa ka bërë thirrje për rritje të mbështetjet kundër sundimtarit autoritar. Në një opinion të botuar në New York Times më 23 gusht, Tsikhanouskaya shkroi se Lukashenka duhet të ndalet "për të mirën e kontinentit".

"Bjellorusia është në vijën e parë të luftës mes sistemit të autokracisë dhe demokracisë. Mbështetja ndërkombëtare ka qenë zemërgjerë, por mund të bëhet më shumë", shkroi ajo.

Ajo shtoi se ulja e detyruar e një avioni evropian në Minsk për të arrestuar një gazetar dhe varja e një drejtuesi të komunitetit bjellorus në Kiev të Ukrainës treguan se "asnjë qytetar evropian nuk është i sigurt".

"Në fund të fundit, nuk ka të bëjë vetëm me Bjellorusinë. Regjimi është bërë një problem sigurie për të gjithë Evropën", shtoi ajo.

Lukashenka ka sunduar Bjellorusinë me grusht të hekurt që nga viti 1994. Në gusht të vitit 2020 në këtë vend u mbajtën zgjedhjet presidenciale. Lukashenka pretendon fitoren mirëpo rezultati tyre kundërshtohet nga opozita dhe fuqitë perëndimore.

Zgjedhjet konsiderohen se u manipuluan në masë të madhe.

Disa ditë pas zgjedhjeve turma qytetarësh dolën në rrugët e kryeqytetit, Minsk dhe qyteteve tjera për të kundërshtuar sundimin e Lukashenkas.

Forcat e sigurisë i kanë shtypur protestat dhe kanë arrestuar mijëra aktivistë dhe pjesëtarë të opozitës.

Tsikhanouskaya tha se më shumë se 35.000 njerëz janë ndaluar dhe prej tyre gati 5.000 pretendojnë se janë torturuar.

Shumica e udhëheqësve të opozitës janë detyruar të largohen nga vendi, përfshirë Tsikhanouskayan.

Për shkak të shtypjes së protestave vendet perëndimore kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj regjimit të Lukashenkas.

XS
SM
MD
LG