Ndërlidhjet

Nuk do ta ndalim para kohe evakuimin nga Kabuli, thotë Pentagoni


Afganët që kanë punuar për koreanët e jugut dhe anëtarët e familjes së tyre hipin në një aeroplan ushtarak të Koresë së Jugut në aeroportin e Kabulit më 25 gusht 2021.
Afganët që kanë punuar për koreanët e jugut dhe anëtarët e familjes së tyre hipin në një aeroplan ushtarak të Koresë së Jugut në aeroportin e Kabulit më 25 gusht 2021.

Departamenti i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara hodhi poshtë raportimet se ata po përgatiten të përfundojnë evakuimet nga Afganistani para kësaj fundjave.

Sipas Pentagonit operacionet e evakuimit do të vazhdojnë deri më 31 gusht.

"Operacionet e evakuimit në Kabul nuk do të përfundojnë brenda 36 orësh. Ne do të vazhdojmë të evakuojmë sa më shumë njerëz që mundemi deri në fund të misionit", tha zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby.

Të enjten (26 gusht) Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që të largohen nga zonat përreth aeroportit të Kabulit për shkak të një kërcënimi "shumë të besueshëm" të një sulmi terrorist.

Mijëra njerëz u tubuan në përpjekje për të arritur fluturimet e evakuimit përpara afatit të 31 gushtit, kur është planifikuar të përmbyllet tërheqja e trupave të huaja.

Ministri britanik i Forcave të Armatosura, James Heappey, tha më 26 gusht se ekzistojnë informacione "shumë të besueshme" të inteligjencës se militantët po planifikojnë një sulm ndaj atyre që mblidhen në aeroportin e Kabulit.

Nuk kishte detaje të menjëhershme të kërcënimit, që mendohet të jetë nga militantët e Shtetit Islamik (IS), megjithëse mediat raportuan se persona të panjohur të armatosur qëlluan në një aeroplan ushtarak italian ndërsa fluturonte jashtë Kabulit më 26 gusht.

Më shumë se 82,000 njerëz janë nxjerrë tashmë me aeroplanë nga Kabuli, i cili ka rënë në duart e talibanëve më 15 gusht.

Vendet po nxitojnë t’i evakuojnë njerëzit deri në afatin e 31 gushtit.

Talibanët kanë thënë se trupat e huaja duhet të jenë jashtë Afganistanit deri në fund të këtij muaji dhe kanë përjashtuar çdo zgjatje të afatit.

XS
SM
MD
LG