Ndërlidhjet

Macron thotë se të drejtat e grave duhet të jenë kusht për talibanët


Presidenti francez Emmanuel Macron dhe gruaja e tij Brigitte Macron.

Franca thotë se grupi i vendeve që bëjnë pjesë në G20-ën duhet të vendosin kushte për njohjen e legjitimitetit të qeverisë së udhëhequr nga talibanët, duke përfshirë edhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.

Talibanët kanë thënë se tani do të qeverisin në mënyrë më të moderuar sesa në vitet 1996-2001. Atëbotë ata patën kufizuar ashpër të drejtat dhe liritë e grave duke u ndaluar punën dhe daljen jashtë shtëpisë pa një shoqërues mashkull.

Në muajin gusht talibanët rrëzuan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Afganistan derisa forcat e huaja, të udhëhequra nga amerikanët, po tërhiqeshin pas 20 vjetësh të prezencën ushtarake në këtë vend.

Megjithë premtimet, talibanët javët e fundit nuk kanë dhënë shenja se po qeverisin ndryshe pasi shumë vajzave u është ndaluar kthimi në shkollat e mesme dhe shumica dërrmuese e grave janë urdhëruar të mos kthehen në punë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha në një intervistë për radion France-Inter më 5 tetor se G20-ta duhet t'u thotë talibanëve: "Ju duhet t’iu ofroni një të ardhme vajzave të reja në vendin tuaj në mënyrë absolute. Kjo do të jetë një nga gjërat që do të marrim parasysh para se t'ju njohim".

Sipas tij, një kusht tjetër i komunitetit ndërkombëtar për talibanët duhet të jetë lejimi i operacioneve humanitare dhe që ata të refuzojnë të bashkëpunojnë me "grupet terroriste islamike" në rajon.

Sipas tij, në këto kushte duhet të bashkohen edhe vendet tjera dhe jo vetëm ato perëndimore. G20 do të mbajë një samit për Afganistanin më vonë gjatë muajit tetor në Romë të Italisë.

Në grupin e 20 vendeve më të industrializuara bëjnë pjesë: Argjentina, Australia, Brazili, Kanada, Kina, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG