Ndërlidhjet

Gazetarët Maria Ressa dhe Dmitry Muratov fitojnë Çmimin Nobel për Paqe


Gazetarja filipino-amerikane, Maria Ressa dhe kryeredaktori i gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta, Dmitry Muratov.
Gazetarja filipino-amerikane, Maria Ressa dhe kryeredaktori i gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta, Dmitry Muratov.

Gazetarja filipino-amerikane, Maria Ressa dhe kryeredaktori i gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta, Dmitry Muratov, kanë fituar Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2021.

Komiteti i Nobelit tha se çmimi iu ndahet pasi ata kanë mbrojtur lirinë shprehjes që është parakusht për demokracinë dhe paqen.

"Gazetarëve Ressa dhe Muratov po iu ndahet Çmimi Nobel i Paqes për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes në Filipine dhe Rusi", tha Komiteti i Nobelit përmes një deklarate më 7 tetor.

Gazetarja, Maria Ressa.
Gazetarja, Maria Ressa.

"Në të njëjtën kohë, ata janë përfaqësues të të gjithë gazetarëve që ngrisin zërin për këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e shtypit përballen me kushte gjithnjë e më të pafavorshme", thuhet në deklaratë.

Gazetarja Ressa, është bashkëthemeluese e faqes së lajmeve Rappler. Ajo u vlerësua pasi e ka shfrytëzuar lirinë e shprehjes për të "ekspozuar rritjen e autoritarizmit, keqpërdorimin me pushtetin dhe përdorimin e dhunës në vendin e saj të lindjes, Filipine".

Gazetari, Dmitry Muratov.
Gazetari, Dmitry Muratov.

Komiteti tha se gazetari Muratov, në kushte gjithnjë e më të vështira e ka mbrojtur për dekada lirinë e fjalës në Rusi.

Çmimi Nobel për Paqen, që ndahet çdo vit, nderon individë apo organizata që "bëjnë angazhimin më të madh për të mirën e njerëzimit dhe miqësisë mes kombeve".

Vitin e kaluar Çmimi Nobel iu nda Programit Botëror të Ushqimit, një agjenci e Kombeve të Bashkuara që përpiqet të luftojë urinë në botë.

Fituesit e Çmimit Nobel do të marrin një medalje ari dhe do të ndajnë mbi 1.1 milion dollarë.

Industrialisti suedez Alfred Nobel themeloi çmimet në testamentin e tij, të shkruar një vit para vdekjes së tij më 1896.

XS
SM
MD
LG