Ndërlidhjet

Kremlini nuk e "respekton" çmimin për Navalnyn


Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny.
Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny.

Kremlini tha se nuk e “respekton” vendimin e Parlamentit Evropian për t’ia ndarë Aleksei Navalnyt çmimin më të lartë për të drejtat e njeriut.

Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, fitoi të mërkurën (20 tetor) Çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit.

Çmimi vjetor i Parlamentit Evropian iu nda atij për, siç u tha, ekspozimin e korrupsionit në Rusi dhe të përpjekjeve për frenimin e lirive në këtë vend.

Shumë ekspertë thonë se ky veprim i BE-së i dërgon një mesazh të fortë presidentit rus, Vladimir Putin se, kundërshtari i tij më i ashpër tanimë është një figurë globale dhe jo vetëm një fenomen lokal rus.

Kremlini e konsideron Navalnyn si një kriminel që drejtonte një organizatë ekstremiste.

“Ne e respektojmë këtë institucion (Parlamentin Evropian), por askush nuk mund të na detyrojë të respektojmë vendime të tilla”, u tha gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Navalny, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus Vladimir Putin, u burgos në janar pasi u kthye në Rusi nga Gjermania, ku u trajtua për një helmim që ai tha se ishte urdhëruar nga Kremlini.

Moska e mohon akuzën.

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve rusë për helmimin dhe burgosjen e Navalnyt.

Avokati, 45-vjeçar u dënua me 2 vjet e gjysmë burg për një shkelje të lirimit me kusht. Ai e ka quajtur të motivuar politikisht.

Që kur ka filluar ndarja e çmimit Sakharov më 1988, Navalny është fituesi i tretë nga Rusia.

XS
SM
MD
LG