Ndërlidhjet

Nuk ndalen arrestimet në Kazakistan


Protestat në Kazakistan.

Autoritetet e Kazakistanit kanë arrestuar ish-kreun e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të vendit me dyshimin për tradhti, thanë të shtunën autoritet në këtë shtet, derisa ish-republika sovjetike është tronditur nga trazirat më të ashpra të ndodhura në 30 vitet e fundit.

Karim Massimov, i cili u shkarkua këtë javë nga ky organi i rëndësishëm i inteligjencës u arrestua së bashku me disa zyrtarë të tjerë, emra e të cilëve nuk u bënë publik.

Reuters raporton se e kishte të pamundur që të kontaktonte Massimovin, i cili kishte mbajtur dy herë pozitën e kryeministrit dhe në të kaluarën kishte punuar ngushtë me ish-presidentin e Kazakistanin, Nursultan Nazarbayev, i cili sundoi këtë shtet për tri dekada derisa ia dorëzoi presidencën Kassym-Jomart Tokayev në vitin 2019.

Dhjetëra njerëz kanë vdekur dhe ndërtesat publike në të gjithë Kazakistanin janë plaçkitur dhe djegur gjatë javës së kaluar.

Demonstratat filluan si përgjigje ndaj një rritjeje të çmimit të karburanteve, por u shpërthyen në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë së Tokayevit të mbështetur nga Rusia dhe ishte presidenti Nazarbayev, familja e të cilit besohet se gjerësisht ka ruajtur ndikimin në Nur-Sulltan.

Pas disa ditësh dhune, forcat e sigurisë duket se kanë rimarrë kontrollin e rrugëve të qytetit kryesor të Kazakistanit Almaty të premten.

Tokayev tha se ai kishte urdhëruar trupat e tij të qëllonin për të vrarë personat që nuk iu bindeshin urdhrave të forcave të sigurisë.

Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha se më shumë se 4,400 njerëz ishin arrestuar që nga fillimi i trazirave.

Një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia është vendosur në Kazakistan gjë që ka nxitur kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një takim me zyrtarë të lartë të shtunën, Tokayev tha se vendosja në Nur-Sulltan e bllokut ushtarak të udhëhequr nga Rusia, i njohur si Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive ua kishte mundësuar agjencive kazake të zbatimit të ligjit të zhvendoseshin për të ndërhyrë ndaj kryengritësve në qytetin Almaty.

Deri më tani, dhjetëra persona janë vrarë në protestat e dhunshme.

Kjo është dhuna më vdekjeprurëse në Kazakistan në tre dekada që prej se ky shtet shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.

XS
SM
MD
LG