Ndërlidhjet

OBSH: Dozat përforcuese, fillimisht për të cenueshmit


Dozë vaksine.
Dozë vaksine.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka thënë se dozat përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit duhet t’iu ofrohen fillimisht personave më të cenueshëm.

Kështu, OBSH ka qëndruar larg deklaratave të mëhershme se dozat përforcuese janë të panevojshme për të rinjtë e shëndetshëm.

Në një konferencë për media të premten, 21 janar, OBSH ka thënë se rekomandon dozën përforcuese të vaksinës së prodhuar nga Pfizer/BioNTech, duke nisur nga grupet me prioritet të lartë, katër deri në gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë.

Vitin e kaluar, OBSH u ka bërë thirrje vendeve të pasura që të shpallin moratorium për dozat përforcuese deri në fund të vitit 2021.

Kjo thirrje ishte injoruar thuajse tërësisht.

Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara ka thënë se grupi i ekspertëve të saj për vaksina ka gjetur se mbrojtja nga vaksinat zbehet pas një kohe.

Studime të shumta kanë treguar se dozat përforcuese të vaksinave rikthejnë nivelin e imunitetit dhe ofrojnë mbrojtje të fortë kundër sëmurjes së rëndë, duke përfshirë variantet Delta dhe Omicron të koronavirusit.

“Dozat përforcuese janë pjesë e programit të vaksinimit, por kjo nuk nënkupton përdorim të pakufizuar për të gjitha moshat”, ka thënë Kate O’Brien, drejtore për imunizim dhe vaksina.

“Ne vazhdojmë të kemi fokus të lartë në vaksinim të grupeve me prioritet të lartë”, ka thënë ajo.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përkrahur dhënien e vaksinave të prodhuara nga Pfizer-BioNTech për fëmijët e moshës 5 vjeç e lart, në dozë të reduktuar.

Edhe vendet tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë kanë dhënë dritën e gjelbër për imunizim të fëmijëve, në vjeshtën e vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG