Ndërlidhjet

Qytetarët e Tiranës protestojnë para ambasadës ruse 


Protesta e qytetarëve të Shqipërisë para ambasades ruse në Tiranë.
Protesta e qytetarëve të Shqipërisë para ambasades ruse në Tiranë.

Në Tiranë, të dielën qytetarë shqiptarë u mblodhën në shenjë proteste para Ambasadës së Rusisë. Ata iu bashkuan qindra mijëra qytetarëve tjerë të botës duke bërë thirrje që të ndalet agresioni rus ndaj Ukrainës.

Protestuesit shpalosën një flamur të madh të Ukrainës.

Ata gjithashtu mbajtën në duar parulla si “Stop luftës”, “Putin, psikologu kushton më pak se lufta” dhe “Bota duhet ta ndalojë Rusinë”.

Protesta tjera kundër luftës janë zhvilluar ditëve të kaluara para ambasadës ruse në Tiranë, që prej fillimit të sulmit rus më 24 shkurt, 2022.

Në Ukrainë jeton një komunitet prej 60 shqiptarësh të integruar.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, pesë ose gjashtë shtetas shqiptarë nga ky komunitet kanë kërkuar asistencë nga Shqipëria dhe se ambasadat e Shqipërisë në Poloni dhe Rumani janë vënë në dispozicionin e tyre për t’iu dalë në ndihmë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se Shqipëria është angazhuar krahas shteteve tjera anëtare të NATO-s të mirëpresë refugjatët që po largohen nga Ukraina, ndërkohë që theksoi se për dallim nga vendet e tjera evropiane që kanë varësi ekonomike dhe tregtare me Rusinë, implikimet e luftës në Ukrainë janë më të vogla për Shqipërinë.

Rama theksoi se Shqipëria është pjesë e aleancës së shteteve që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Ne besojmë që nuk do të kemi efekte shumë shqetësuese”, shtoi Rama.

“Sigurisht kjo është luftë reale, nuk është një dokumentar, apo ‘play station,’ apo një ngjarje që ndodh në një kontinent tjetër. Është luftë reale në dyert e Bashkimit Evropian”, tha kryeministri në një konferencë për media më 25 shkurt.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, gjë që është dënuar nga shtetet në mbarë botën.

NATO – aleancë në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria – njoftoi se do të rrisë numrin e forcave të saj pranë Rusisë, me qëllim që të forcohet krahu lindor.

XS
SM
MD
LG