Ndërlidhjet

Petkoviq: Beogradi po bllokon gënjeshtrat e Prishtinës dhe jo dialogun


Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq. Fotografi nga arkivi.
Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq. Fotografi nga arkivi.

Shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një komunikate të lëshuar nga kjo zyre, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila fajësoi Serbinë për dështimin e arritjes së marrëveshjes për targat.

Më 21 prill, në Bruksel, kryenegociatorët në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje të përhershme për targat, pasi që marrëveshja e përkohshme e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar, ka pasur afat deri më 21 prill.

Sipas marrëveshjes së përkohshme, automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territoret përkatëse, vendosnin letra të bardha ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa.

Përmes komunikatës së Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petkoviq ka theksuar se Beogradi ka treguar “fleksibilitet të lartë në kërkim të një zgjidhjeje për targat, që do të ishte e zbatueshme në jetën reale dhe jo në mendjen e politikanëve shqiptarë”.

Por, sipas tij, “Prishtina ka tentuar të ndryshojë dhe kushtëzojë marrëveshjen aktuale për targa, pa ofruar ndonjë zgjidhje konstruktive”

“Prandaj Vjosa Osmani, me gjithë dëshirën e saj të vazhdueshme për të qenë pjesë e dialogut, fillimisht do të duhej të informohej në detaje për rrjedhën e tij, sepse e vetmja gjë që po bllokon Beogradi janë gënjeshtrat e Prishtinës, jo dialogu dhe biseda”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka akuzuar autoritetet e Kosovës se nuk kanë zbatuar një varg marrëveshjesh të arritura në procesin e dialogut në Bruksel, ndër të cilat edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 prill, ka thënë se në ditët në vijim do të ketë përpjekje që të arrihet një zgjidhje e përhershme për targat e automjeteve dhe ka siguruar që pala e Kosovës do të jetë konstruktive dhe se “Kosova do të vazhdojë të jetë palë e cila respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane”.

Presidentja Osmani fajësoi Serbinë për dështimin e arritjes së marrëveshjes për targat, duke thënë se që prej vitit 2011, kur ka nisur dialogu me ndërmjetësimin e BE-së, Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet, veçmas ato për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, gjë që, sipas Osmanit, u ka shkaktuar probleme qytetarëve dhe bizneseve.

Pavarësisht se marrëveshja e përkohshme e targave skadoi më 21 prill, të premten, në pikë-kalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë parë se makinat me targa serbe dhe ato kosovare, po përdorin letrat ngjitëse për të mbuluar simbolet shtetërore në targa dhe qarkullimi i tyre po zhvillohet normalisht.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar se autoritetet nuk do të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe do të aplikojnë të njëjtat veprime sikurse Serbia, ndërkaq, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka thënë se regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG