Ndërlidhjet

Biden: Njohja reciproke, për një të ardhme më paqësore për Kosovën dhe Serbinë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka uruar Kosovën për 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke u zotuar se Uashingtoni do të vazhdojë mbështetjen për Prishtinën.

Në letrën dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Biden ka shprehur mbështetjen e tij për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ne mirëpresim pranimin e propozimit të BE-së për normalizim, me synimin përfundimtar të njohjes reciproke, që do të ndihmonte të arrihej një e ardhme më paqësore dhe prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e Bidenit.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, por pavarësia e saj kundërshtohet ende nga Serbia, që e konsideron Kosovën pjesë të saj.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e BE-së. Ky proces mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Së fundmi, palët kanë pranuar një propozim evropian për normalizimin e raporteve, por ky propozim nuk është bërë publik.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kosova insiston që një marrëveshje finale për normalizim të raporteve të përfshijë edhe njohjen reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG