Ndërlidhjet

Kurti: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mund të bëhet me njohje të ndërsjellë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Kosova është rrëfim suksesi dhe vend normal demokratik, por se marrëdhëniet me Serbinë nuk i ka normale.

“Duhet të normalizojmë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet me njohje të ndërsjellë, si pjesë qendrore. Kjo është thënë nga presidenti [amerikan, Joe] Biden, nga sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken, kancelari [gjerman, Olaf] Scholz, që njohja e ndërsjellë është pjesa thelbësore për normalizim të plotë të marrëdhënieve, për çka jemi duke punuar me shumë zell”, ka thënë Kurti në Forumin Ekonomik, që është duke u mbajtur në Shkup.

Ai ka përmendur se si Kosova, ashtu edhe Serbia e kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt.

“E kemi miratuar në të dyja kryeqytetet dhe pastaj edhe në Bruksel”.

Në fund të takimit të 27 shkurtit në Bruksel, Bashkimi Evropian ka thënë se palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar në zbatimin e planit të BE-së.

Takimi i radhës mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pritet të mbahet gjatë këtij muaji.

“Mos të harrojmë që më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë është nënshkruar kapitullimi i Jugosllavisë së [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut kanë qenë shumë të rëndësishme për [kryediplomatin evropian, Josep] Borrell, që të na ftojë në Maqedoni [të Veriut] për takimin e radhës të nivelit të lartë”, ka thënë Kurti.

Propozimi evropian u është dorëzuar palëve fillimisht në vjeshtën e vitit 2022.

Ky propozim parashihet t’i drejtojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Propozim-marrëveshja që është bërë publike pas takimit, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Marrëveshjet e deritashme përfshijnë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.

Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiq insiston në themelimin e tij.

XS
SM
MD
LG