Prej rreth 5.5 milionë njerëzve që jetojnë në Shën Petersburg – në qytetin e dytë më të madh të Rusisë dhe vendlindjen e presidentit rus, Vladimir Putin – tetë persona janë duke u përballur me kallëzime penale nën ligjin drakonian të Rusisë për shpërndarje të informacioneve “të rreme” për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Njëri nga ta është shkrimtari 35-vjeçar Vsevolod Korolyov, i cili aktualisht është në gjyq dhe potencialisht mund të dënohet me disa vjet burgim për dy postime në rrjete sociale, ku kishte cituar dëshmi se ushtarët rusë kishin kryer krime lufte në disa qytete ukrainase, si në Buça.
“Ne duhet ta ndalim këtë valë të urrejtjes”, shkroi ai nga burgu, si përgjigje ndaj pyetjeve të bëra nga North.Realities të REL-it. “Pikë së pari, te vetja. Sepse ajo nuk çon askund”.
Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Qeveria ruse miratoi një sërë ligjesh të ashpra që kriminalizonin mospajtimin. Ligji për shpërndarjen e vetëdijshme të informacionit që shteti e cilëson si të rremë për forcat e armatosura dënohet me deri në 15 vjet burgim.
Në korrik të vitit 2022, ligjbërësi lokal nga Moska, Aleksei Gorinov, u dënua me gati shtatë vjet burgim përmes këtij ligji. Së fundi, politikani i opozitës, Ilya Yashin, dhe blogeri i kanalit Telegram Dmitry Ivanov u dënuan gjithashtu me disa vjet burgim.
Gjithsej 149 persona në Rusi janë përballur me kallëzime penale sipas këtij ligji.
Pavarësisht se është shtuar rreziku i pasojave serioze, një numër i vogël i qytetasve rusë, si Korolyov, vazhdojnë të mbajnë një qëndrim moral kundër luftës dhe kundër asaj që po ndodh në Rusinë gjithnjë e më autoritare të Putinit. Dhe, ata e gjejnë veten në kundërshtim me pjesën më të madhe të shoqërisë përreth vetes.
“Unë e di sigurt se nëse do të isha larguar nga Rusia, do ta kisha qortuar veten dhe do të isha i pakënaqur, sepse nuk do të kisha bërë gjithçka që mundem”, tha Korolyov për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se ai nuk kishte për qëllim t’i kritikonte rusët që janë larguar nga vendi që kur ka filluar lufta në Ukrainë.
“Kjo është, thjesht, kush jam unë”.
“Frikësohesha se askush nuk do të më përqafonte”
Më 19 mars, Nikita Gorbunov, një sipërmarrës 20-vjeçar në Izhevsk, kryeqytetin e rajonit Udmurtia të Rusisë, u shfaq në një park publik me një tabelë në duar, ku shkruhej: “Më përqafo nëse je kundër luftës”.
“Kisha frikë”, tha ai për Idel.Realities të REL-it. “Mbërrita në parkun Kirovit, një nga vendet më të njohura në qytet. Më kujtohet se si ecja me tabelën time të palosur dhe kisha frikë. Nuk e di saktësisht pse kisha frikë. Nuk e dija se çfarë do të ndodhte më pas”.
“Kur po shkoja në protestën time, frikësohesha se askush nuk do të më përqafonte”, shtoi ai. “Por, e tejkalova frikën dhe fillova piketimin. Teksa po qëndroja aty, frika ime u zhduk. Shumë njerëz erdhën tek unë dhe shprehën mbështetjen e tyre përmes përqafimeve. Çdo minutë, dikush vinte”.
Ai vlerëson se rreth 50 njerëz e përqafuan përgjatë një ore që ai qëndroi aty, para se policia ta largonte.
“Dikush më tha, ‘Fatkeqësisht, ne nuk mund ta bëjmë të njëjtën gjë’”, tha Gorbunov për një familje me fëmijë të vegjël.
Jo të gjithë kalimtarët ishin kaq mirëkuptues. “Një çift kaloi dhe e bëri një gjest të pasjellshëm”, tregoi Gorbunov. “Më vonë ata u kthyen dhe filluan të më fotografonin... Pastaj u afruan më shumë dhe filluan të më shanin. Ishte e pakëndshme”.
“Më vonë doli se ata kishin thirrur policinë e edhe kishin dhënë një deklaratë kundër meje”, tha ai.
Gorbunov tani është nën hetim për dyshimin se ka “diskredituar forcat e armatosura të Federatës Ruse” duke mbajtur një tabelë ku shkruhej “Më përqafo nëse je kundër luftës”.
Për muaj të tërë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Gorbunov nuk kishte bërë asnjë protestë publike. Por, më 14 janar, një raketë ruse e kishte goditur një ndërtesë banimi në qytetin ukrainas Dnjepër. Dhjetëra njerëz, përfshirë këtu edhe gjashtë fëmijë, u vranë.
“Unë kam të afërm në Dnjepër”, tha ai. “Ishte sikur të na kishte ndodhur neve. Unë e kisha zakon të shkoja atje për vizitë”.
“Papritmas u ndjeva përgjegjës për atë që ndodhi”, shtoi ai. “Më duhej të bëja diçka”.
Në Izhevsk, thotë ai, ka posterë dhe simbole ushtarake pothuajse në çdo cep.
“Humba besimin se kishte ende njerëz normalë në Rusi, por protesta ime e ndryshoi këtë”, shpjegoi ai. “Rezultoi që ka ende shumë njerëz të mirë. Unë u befasova për të mirë. Besimi im është rikthyer”.
“Nuk mund të heshtja”
Olesya Krivtsova, një studente 19-vjeçare nga Arkhangelsku, rrezikonte të dënohej 10 vjet burgim për deklaratat e postuara në një rrjet social universitar pasi studentët e denoncuan atë në polici. Edhe para se të fillonte procesi gjyqësor, Qeveria ruse e shtoi atë në listën e “terroristëve dhe ekstremistëve”. Më parë, ajo ishte gjobitur për vendosje në vende publike të afisheve kundër luftës.
Për dy muaj, ajo u mbajt në arrest shtëpiak, e detyruar ta mbante një pajisje monitorimi. Prokurorët kërkuan ta mbahej në paraburgim pasi pretendonin se kishte blerë një biletë treni për të dalë jashtë qytetit.
“Gjatë atyre muajve, për herë të parë në jetën time ndjeva zemërim të vërtetë, kur dhëmbët i ke shtrënguar, duke dëgjuar hetuesin në gjykatë teksa gënjente se po i blija ato bileta”, kujton ajo.
Pastaj ajo e kuptoi se nuk kishte kuptim të priste të dërgohej në burg. “Ndjeva urrejtje të vërtetë”, tha ajo. “E kuptova që askush nuk do të më dëgjonte... Kjo ishte ajo që bëri ta merrja vendimin. Në dëshpërim të plotë, mora vendimin të largohem”.
Ajo hoqi kyçin e këmbës dhe u largua tinëzisht nga vendi dhe përfundoi në Letoni.
“Pa kallëzimin penal, do të kisha qëndruar në Rusi”, tha ajo. “Por, gjithsesi, do të kishte ndodhur herët a vone. Nuk mund të heshtja”.
“E vështirë të flasësh me njerëzit”
Protestuesi nga Izhevski, Gorbunov, thotë se të afërmit e tij e përkrahin pozicionimin e tij kundër luftës, por shumë të njohur të tjerë i janë distancuar.
“Unë kam një mik që është pak më i vjetër se unë”, tha ai, "i cili thjesht më bllokoi kudo pas postimit tim të parë kundër luftës. Mund të them se ndoshta tetë miq më kanë bllokuar”.
“Është e vështirë të flasësh me njerëzit për luftën”, shtoi ai.
Shkrimtari nga Shën Petersburgu, Korolyov, u shpreh ngjashëm, duke thënë se romani “Lufta dhe Paqja” i Leo Tolstoit i dha shumë mësime për atë se si lufta ndryshon njerëzit dhe shoqërinë.
“Është e tmerrshme të dëgjosh se si njerëzit flasin tani për qenie të tjera njerëzore dhe çfarë thonë se janë të gatshëm t'u bëjnë atyre”, shkroi ai në letrën e tij nga burgu.
“Është një humnerë nga e cila do të jetë shumë e vështirë të dalësh”.
“Në momentet e mia të errëta", pranoi ai, “më duket se asgjë që jam duke bërë nuk ka rëndësi”.