Ndërlidhjet

Ligjvënësi rus që u tall me fjalimin e Putinin: Protestat janë bërë pothuajse të pamundura


Ligjvënësi rus, Mikhail Abdalkin. Fotografi nga arkivi.
Ligjvënësi rus, Mikhail Abdalkin. Fotografi nga arkivi.

Ligjvënësi i rajonit Samara, Mikhail Abdalkin, nuk është përfshirë për herë të parë në situata kontroverse. Ky komunist 35 vjeç ka ndërtuar karrierën e tij politike përmes protestave publike, duke kritikuar politikanët që ai beson se janë indiferentë ndaj gjendjes së votuesve të tyre.

Por, asnjë nga aktet e kryera nga ai nuk kanë marrë më shumë vëmendje kombëtare sesa kur ai postoi një video të shkurtër më 21 shkurt në YouTube, ku u shfaq në zyrën e tij, qetësisht duke shikuar presidentin rus, Vladimir Putin, duke mbajtur fjalimin vjetor drejtuar kombit. Ai në këtë video shfaqet me petë të holla brumi të vendosura në veshtë e tij.

Ky veprim përkonte me një shprehje ruse “të varësh petët në veshët e dikujt”, që nënkupton t’i gënjesh apo t’i mashtrosh ata. Ishte një veprim i guximshëm në shtetin autoritar të Putinit, ku shtypja e pakënaqësive është përshkallëzuar që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Mikhail Abdalkin duke shikuar fjalimin e Putinit drejtuar kombit.
Mikhail Abdalkin duke shikuar fjalimin e Putinit drejtuar kombit.

Më 16 mars, një gjykatë në qytetin Novokuibishevsk – me rreth 110.000 banorë e që gjendet rreth 1.000 kilometra në juglindje të Moskës – e shpalli fajtor Abdalkin për “diskreditim të forcave të armatosura të Federatës Ruse” dhe u gjobit me 150.000 rubla (1.975 dollarë). Abdalkin tha s vendimi ishte “i motivuar politikisht” dhe e ka apeluar vendimin.

“As unë dhe as avokati im nuk e kuptojmë se çfarë ishte ‘diskreditimi’”, tha Abdalkin për Radion Evropa e Lirë. “Në video nuk përmenden fare forcat e armatosura... Por, gjykatësi vendosi se ‘diskreditimi’ përfshin veprime të qëllimshme që synojnë uljen e besimit në dikë apo minimin e imazhit apo autoritetit të dikujt. Por, ai nuk tregoi se imazhi i kujt është minuar”.

Për më tepër, në Dumës ruse për kritikat e Abdalkinit – Dhoma e Ulët e Parlamentit rus – kishte diskutuar Aleksandr Khinshtein, deputet nga partia në pushtet Rusia e Bashkuar. Abdalkin më 2018 dhe 2021, kishte garuar kundër Khinshtein, por kishte humbur.

“Nëse jetoj deri më 2026, do të jem në gjendje që t’i jap atij edhe një garë më të fortë”, tha Abdalkin. “Khinshtein duket se po ashtu mendoj të njëjtën gjë dhe nuk dëshiron që unë të jetoj aq gjatë”.

Pas thirrjeve të Khinshtein për dënimin publik të Abdalkin, ligjvënësi mori telefonata kërcënuese dhe mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale.

“Nuk reagova sepse kjo është një histeri e qëllimshme”, tha ai. “Nuk shoh se kam bërë diçka të jashtëzakonshme. Ishte një protestë e zakonshme”.

“Pasoja të paparashikueshme”

Protesta e fundit, përmes videos për Putinin, sipas Abdalkin, ndodhi “spontanisht”.

“Gjatë 23 vjetëve të fundit – më mirë thënë gjatë 30 vjetëve – qytetarët tanë janë mashtruar nga politikanët e të gjitha niveleve nga ekranet e televizioneve tona”, tha ai. “Imazhi i një personi të ulur para televizorit me petë të holla brumi të vendosura në veshtë e tij përfaqëson gjendjen e shoqërisë sonë. Kështu kam dashur të tregoj se si ndihem unë për situatën... Vërtetë, nuk kam bërë asgjë me protestën time, vetëm shpreha atë që të gjithë tashmë po e thonë”.

Më 2021, një përdorues i Twitter-it postoi një fotografi të tij me petë të holla brumi të varura në vesh dhe në fotografi shihej edhe një imazh i Putinit.

Abdalkin shtoi se ai nuk po protestonte kundër pushtimit rus të Ukrainës, të cilin ai dhe Partia Komuniste e mbështesin. Veteran ushtarak, i trajnuar për luftë biologjike dhe kimike, Abdalkin shtoi se ai ishte i gatshëm dhe kishte vullnet të mobilizohej, nëse do të ishte e nevojshme.

“Nuk kam ikur asgjëkund”, tha ai. “Kam shërbyer në ushtri për dallim prej shumë të tjerëve që i kanë ikur shërbimit”.

Ligjvënësi tha se ai kundërshton politikat sociale të Putinit dhe Rusisë së Bashkuar, duke argumentuar se ata nuk po bëjnë mjaftueshëm për të luftuar varfërinë dhe paligjshmërinë. Ai insistoi se të gjitha protestat që i ka bërë kanë qenë në kuadër të ligjit, pavarësisht se në Rusi ka shtypje të ashpër të pakënaqësive.

“Duhet të veproni më me kujdes”, tha ai. “Duhet, siç e kam thënë edhe më herët, duhet të jetojmë në bazë të ligjeve të shtetit. Nuk mund të jetoj në një shoqëri, dhe njëkohësisht të jem jashtë saj. Po, nuk më pëlqen kjo situatë. Po, ne vlerësojmë se këto ligje janë të gabuara. Po, ne mendojnë se është gabim të ndjekësh njerëz për shkak të mendimeve të tyre dhe të përfshihesh në gjueti shtrigash sepse këto gjëra mund të çojnë në pasoja të paprecedentë”.

“Ata do të vazhdojnë me shtypje edhe më të madhe”, shtoi ai, “prandaj ne duhet të jemi më të kujdesshëm kur shprehemi. Por, ne duhet të vazhdojmë të veprojmë”.

“Metaforat dhe gjuha ezopiane”

Më 2020, Abdalkin i dha kreut të këshillit të qytetit Novokuibishevsk, që vinte nga Rusia e Bashkuar, një copë sapuni të mbështjellë në formë të një dhurate në formë penisi. Organet e rendit refuzuan që të hapnin rast penal për akuzën e “shpifjes” për këtë çështje.

Po të njëjtin vit, ai u shfaq me një maskë të Putinit për nder të ditëlindjes së 68-të të Putinit. Personi me maskë premtoi se do të jetonte deri në 100 vjet dhe do të vazhdonte të sundonte Rusinë “dhe do ta çojë Rusinë nga gjunjët gjatë gjithë jetës sime”.

Një vit më herët, ai publikisht kishte djegur një manekin me figurën e drejtoreshës së spitalit kryesor të qytetit. Ai po ashtu kishte postuar një tekst , të përshkruar “përrallë” lidhur me një mjeke imagjinare e cila ishte aq e papërgjegjshme sa që të gjithë banorët e qytetit dogjën manekinin me figurën e saj.

“Gjykata analizoi këtë tekst dhe erdhi në përfundim se pavarësisht përmbajtjes negative dhe tendencioze, në të nuk kishte asgjë ofenduese”, raportuan atëbotë mediat lokale.

Më 2021, Abdalkin i dha kreut të administratës së qytetit Çapajevsk një kovë të mbushur me pleh “në shenjë mirënjohjeje” nga banorët e qytetit.

“Gjatë viteve të fundit, protestat janë ndaluar”, tha ai. “Është e vështirë të organizosh diçka apo madje të takohesh me votuesit. Protestat janë bërë pothuajse të pamundura. Prandaj, duhet të shikoj për alternativa sepse njerëzit duhet të dinë se jo të gjithë do të qëndrojnë në heshtje, disa persona do të kundërshtojnë”.

“Prandaj, nëse e thoni hapur, ju shkelni shumë rregulla administrative dhe penale”, shtoi ai. “Prandaj, mu desh që të ndryshoja metaforat me gjuhën ezopiane”.

Kjo formë e shprehjes publike, që Abdalkin e ka quajtur “aksionizëm”, sipas tij nuk e di se ku do ta çojë në të ardhmen.

“Në këtë kuptim, nuk kam asnjë plan për të ardhmen”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG