Von Cramon: Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, u shpreh e shqetësuar nga situata në veri të Kosovës gjatë një konference për media në Prishtinë, ku tha se Qeveria e vendit “duket se po rrezikon shumë me këto manovra në veri”.
“Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se ata kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte dhe të kenë qasje me forcë. Askush nuk mund të udhëheqë me një apo dy për qind të votave”, tha Von Cramon.
Ajo i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta pyesë veten “nëse kjo është qeverisje e mirë”, teksa shtoi se duhet të punohet në ndërtimin e besimit me komunitetin serb në veri të Kosovës.
Ibishi: Kundërshtimi ndërkombëtar fuqizoi rezistencën në veri
Njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi, tha se situata në pjesën veriore të vendit mbetet e tensionuar, pasi reagimet e komunitetit ndërkombëtar kundër vendosjes së kryetarëve të komunave në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, i kanë frymëzuar, sipas tij, serbët lokalë që të vazhdojnë kundërshtimin.
“Kjo frymëzoi edhe më shumë sidomos [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, [ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica] Daçiq si dhe Listën Serbe, që të vazhdojnë me kundërvënie, që me çdo kusht të largohen kryetarët e komunave si dhe prezenca e Policisë së Kosovës”, tha Ibishi për Radion Evropa e Lirë.
Ai tha se reagimi i qytetarëve serbë atje ka qenë i pritshëm, pasi, sipas tij, zyrtarët e Listës Serbe e kishin paralajmëruar një gjë të tillë ditë më parë.
Ibishi tha se Policia e Kosovës ka vepruar në mënyrë profesionale dhe proporcionale që nga 26 maji kur asistoi kryetarët e rinj që të vendosen në objektet komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Policia përdor sprej për të zmbrapsur protestuesit në Zveçan
Në Zveçan, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe, Policia e Kosovës përdori sprej ndaj disa serbëve lokalë, të cilët tentuan të hynin në ndërtesën komunale.
Hovenier: Të shmanget hyrja me forcë në ndërtesat komunale
Duke folur për gazetarët, Hovenier tha se “është e rëndësishme që të shmangen situatat në të cilat zyrtarët publikë hyjnë në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës”.