Ndërlidhjet

Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.
Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.

Qetësohet situata në Mitrovicë të Veriut

  • Rreth orës 13:00 të së martës, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar sirena alarmi.
  • Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri.
  • Sipas tij, Policia e Kosovës në këtë aksion e ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile’”.
  • Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
  • Serbët lokalë kanë organizuar në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
  • Ata kanë protestuar rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
21:32 29.5.2023

Qeveria e Kosovës akuzon Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”

Qeveria e Kosovës ka akuzuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste” në veri të vendit, prej ku u plagosën dhjetëra pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë përleshjeve me protestuesit në komunën veriore të Zveçanit.

“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-Kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, tha qeveria përmes një komunikate për media pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Qeveria tha se në këtë takim me ambasadorët u diskutua për situatën në veri të vendit, si dhe u pajtua që me ta të vazhdohet të mbahet komunikim i dendur gjatë orëve dhe ditëve në vijim.

“Shkas dhe temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit, sidomos veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it, dhe pjesëtarëve të medieve”, thuhet në komunikatë.

Sipas qeverisë, në këtë takim kryeministri theksoi rëndësinë dhe nevojën për shtensionimin e situates, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt këtij qëllimi.

21:09 29.5.2023

Vuçiq thirrje serbëve në Kosovë që të mos hyjnë në konflikte me NATO-n

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n.

Ai bëri thirrje për protesta paqësore.

Vuçiq iu drejtua publikut të hënën në mbrëmje, më 29 maj, pasi KFOR-i ndërhyri për të shpërndarë demonstruesit serbë të mbledhur para ndërtesës së komunës së Zveçanit në veri të Kosovës. Grupe të serbëve protestuan në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kryetarët e rinj të nacionalitetit shqiptar në komunat me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij të mbajtur nga Presidenca e Serbisë, tha se të martën në mëngjes, më 30 maj, do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.

Ai gjithashtu deklaroi se gjatë ditës ka folur me “amerikanë, gjermanë dhe europianë”.

Vuçiq tha se gjatë intervenimit të KFOR-it janë lënduar 52 serbë, prej të cilëve, sipas tij, tre kanë pësuar lëndime të rënda.

Policia e Kosovës ka raportuar se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë përsëriti se Serbia është në favor të ruajtjes së paqes.

“Nëse pushtuesi shqiptar qëllon, atëherë situata do të jetë ndryshe”, tha ai.

Kur të premten, më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale, Vuçiq dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.

“Ne kemi dislokuar forcat tona në vende ku mendoj se është e nevojshme”, tha ai.

20:44 29.5.2023

KFOR: Rreth 25 ushtarë të plagosur në veri të Kosovës

Të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, bëri të ditur misioni përmes një njoftimi për media.

“Duke iu kundërvënë turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”, thuhet në njoftim.

Sipas KFOR-it, ushtarët janë trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore dhe aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.

20:20 29.5.2023

NATO: Sulmet ndaj trupave të KFOR-it, të papranueshme

Në orët e mbrëmjes, NATO-ja i ka dënuar fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e disa prej tyre.
Në një deklaratë të publikuar, zëdhënësi i NATOS ka thënë se sulmet e këtilla janë krejtësisht të papranueshme, ndërsa ka bërë thirrje për ndaljen e dhunës.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog.
KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, thuhet ndër tjerash në deklaratën e NATO-s.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG