Përfundon protesta në Zubin Potok
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok ka konfirmuar përfundimin e protestës së serbëve lokalë në këtë komunë.
Protestuesit kanë qenë para objektit të komunës prej orëve të hershme të mëngjesit.
Ndërkohë, në Zveçan, për shkak të shiut të madh, protestuesit janë larguar nga rruga, por protesta nuk është shpallur e përfunduar.
Policia e Kosovës konfirmon sulmin ndaj një veture policore në Zveçan
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se të mërkurën në Zveçan është dëmtuar një automjet i saj zyrtar në Zveçan.
Sipas Policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 14:00, derisa njësia policore ka qenë duke patrulluar afër objektit të komunës në Zveçan.
Sipas saj, sulmi dyshohet të jetë kryer nga një grup i personave, të cilët kanë gjuajtur me mjete të forta.
Nuk ka raportime për të lënduar, derisa Policia ka thënë se rasti është duke u hetuar.
Si i komentojnë qytetarët në Prishtinë e Beograd trazirat në veri?
Trazirat në veri të Kosovës shpërfaqën reagime të ndryshme të qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë dhe në Beograd. Disa i mbështesin veprimet e Qeverisë së Kosovës, disa thonë se Serbia “i ka braktisur” serbët në veri e të tjerë bëjnë fajtor Perëndimin.
Rakiq i kërkon KFOR-it të vendosë forca në rrugët e Zveçanit
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka kërkuar nga KFOR-i që të vendosë forcat e tij në rrugët e Zveçanit, në mënyrë që “Policia e Kosovës të mos afrohet dhe të ngrejë tensione”.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.