Të rejat e fundit nga Zveçani
Qytetarë në Zveçan kanë nisur të grumbullohen që nga orët e para të mëngjesit, por në numër më të vogël se dje.
Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, që funksionon nën sistemin e Serbisë, janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tavolinë, si dëshmi “që vijnë në punë”, raporton gazetarja e Radios Evropa e Lirë atje.
Forcat e KFOR-it janë të dislokuara në të gjithë Zveçanin dhe kështu kanë qenë edhe gjatë natës.
Osmani në Kishinjev
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Kishinjev, ku sot zhvillon punimet Komuniteti Politik Evropian.
Është paralajmëruar se liderët e BE-së dhe të vendeve të tjera evropiane do të bisedojnë edhe për situatën në veri të Kosovës.
Çfarë ndodhi në ditën e tretë të protestave?
Kosova, temë diskutimi në Kishinjev
Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një postim në Twitter pas takimit, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.
“Na duhet shtensionim urgjent dhe zgjidhje përmes dialogut”, tha ai.