Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është në dijeni të raportimeve të mediave për takimin mes Marko Gjuriq, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
"Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës", thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.
Shtohet se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.
Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.
Në foto Gjuriq dhe Radoiçiq shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori.
Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriq ishte ambasador i Serbisë në SHBA.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë.
Marko Gjuriq, i cili pas publikimit të fotografisë tha se nuk duhet të turpërohet për kontaktet e tij, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit me Radoiçiqin dhe se kur është bërë fotografia.
Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, është emëruar ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu referua shkurtimisht fotografisë së Gjuriqit dhe Radoiçiqit në një konferencë për shtyp më 10 mars.
"Unë nuk e pyeta atë [Marko Gjuriqin] kur, ku, apo pse. Madje nuk e pyeta nëse u ngrit nga tavolina e tij për të parë Milan Radoiçiqin, për t'u ulur për një ose dy minuta, apo nëse ai erdhi me të”, tha Vuçiq.
Bashkimi Evropian tha më herët më 11 mars se nuk u takon atyre të komentojnë për çdo takim të zyrtarëve serbë, por se "me kë takoheni flet për ju".
"Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale," tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano më 11 mars në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konferencë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve vrau policin kosovar Afrim Bunjaku në Banjskë - pjesa veriore e Kosovës.
Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova akuzon Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton atë.
Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, kaloi një ditë në paraburgim dhe më pas u lirua për t'u mbrojtur me kusht që të mos largohej nga Serbia dhe të mos shkonte në Kosovë.
Lidhur me rrjedhën e procedurës kundër tij në Serbi, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë më 8 shkurt se dëshmia e të dyshuarit Radojiçiq është duke u kontrolluar.