Ndërlidhjet

Qeveria aprovon një Program Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse

Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. (Fotografi ilustruese nga arkivi)
Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. (Fotografi ilustruese nga arkivi)

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të mërkurën një Program Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirës, i cili synon mbrojtjen e vendit nga kërcënimet, sulmet dhe fatkeqësitë natyrore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se programi ua mundëson institucioneve qendrore dhe lokale, veçanërisht qytetarëve, si dhe organizatave të ndryshime joqeveritare të kenë rolin e tyre në mbrojtjen e jetës, sigurisë dhe pasurisë.

“Ministria e Mbrojtjes ka hartuar Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse të Kosovës. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme konvencionale dhe jokonvencionale dhe ruajtja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve në raste të fatkeqësisë natyrore janë interesa jetike të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Kurti tha se programi është hartuar bazuar në sistemet e ngjashme të vendeve anëtare të NATO-s, aleancës ushtarake që Kosova synon t’i bashkohet.

Programi, sipas tij, synon të ndërtojë “qëndrueshmëri kombëtare” në Kosovë, në mënyrë që shoqëria kosovare të përgatitet “të rezistojë, të reagojë e të rimëkëmbët në raste të fatkeqësive natyrore, apo sulmeve të armatosura”.

“Sistemi ka në thelb mbështetjen që qytetarët ia japin në baza vullnetare ushtrisë sonë, FSK-së, por edhe të kombinuar me strukturat tjera shtetërore”, shtoi ai.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se ministria e tij e ka hartuar programin mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike.

Ai tha se programi bazohet në shtatë shtylla: funksionimin shtetëror në rast krizash, organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit, mirëmbajtjen e funksioneve vitale, shërbimeve thelbësore të shtetit, qëndrueshmërinë shoqërore, qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetërore, mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe edukimin e të rejave dhe të rinjve.

Programi, tha ai, nuk ndërhyn në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, por ua mundëson qytetarëve të luajnë rol vullnetar në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.

Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës ka nisur në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces është planifikuar të zgjasë dhjetë vjet - deri në vitin 2028.

Forca e Sigurisë e Kosovës aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në më shumë se 7.500 dhe do të përfshijë anëtarë aktivë dhe rezervë.

XS
SM
MD
LG