Ndërlidhjet

Çfarë janë shërbimet publike mjekësore?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Kosovë nuk ka ndonjë komision që do të mund t’i monitoronte cilësitë e shërbimeve shëndetësore, qoftë në sektorin publik, apo në atë privat. Por, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se shërbimet nuk janë të nivelit të kënaqshëm, ashtu siç do të duhej të ishin. Ndërkaq, sektori privat, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ka bërë një hap pozitiv sa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore.


Cilësia e shërbimeve shëndetësore në Kosovë, nuk është në nivel të kënaqshëm, thonë zyrtarë shëndetësorë dhe qytetarë.

Ilir Tolaj, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se si rrjedhojë e gjithë kësaj, ka lindur nevoja që të krijohen mekanizma që do ta përmirësojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore, duke ndërmarrë veprime konkrete.
Ne e dimë që këto shërbime janë të nivelit ose jo të mirë,
ose të mesëm.

”Ne mund të flasim për cilësinë e shërbimeve cilësore në Kosovë vetëm në bazë të një perceptimi, i cili është më shumë subjektiv sesa nga të dhëna të bazuara në atë kualitet. Ne e dimë që këto shërbime janë të nivelit ose jo të mirë, ose të mesëm. Dhe, meqenëse kemi koncepte të ndryshme rreth kësaj teme, në njërën anë stafi shëndetësor punon vazhdimisht që këto shërbime të përmirësohen, në një situatë të resurseve të kufizuara, kurse, në anën tjetër pacientët janë të kënaqur me përpjekjet e mjekëve, por jo edhe me shërbimet tjera përcjellëse”, thotë Tolaj për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Hajrullah Fejza, shef i divizionit për cilësi të shërbimeve shëndetësore, në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se niveli i cilësisë është ende në një fazë fillestare.

Sipas Fejzës, disa herë janë marrë hapa adekuatë në mënyrë që të përmirësohet cilësia e shërbimeve shëndetësore, por që ato nuk kanë qenë veprime kontinuitive. Në divizionin që ai udhëheq, është i vetmi nga personeli, andaj edhe kjo tregon se sa pak rëndësi i është dhënë kësaj çështjeje.

”Ky divizion ka qenë pa shef dhe pa staf dhe tani vetë fakti që këtu punon vetëm një person, tregon se në çfarë cilësie është sistemi shëndetësor. Ne kemi ndërmarrë hapa për sensibilizimin e kësaj çështjeje, duke filluar nga krijimi i një strukture të re, në përgatitjen e së drejtës për përzgjedhjen e stafit dhe me qëllim të koordinimit të punës rreth hartimit të standardeve për cilësinë e shërbimeve shëndetësore”,
shpjegon Fejza.

Ndërkaq, qytetarët mendojnë se cilësia e shërbimeve shëndetësore në sektorin publik, nuk është e kënaqshme, por jo edhe e nivelit shumë të ulët.

Faton Dema, pacient, tregon:
Shërbimet shëndetësore janë mesatarisht të kënaqshme, kur dihet se në çfarë kushtesh punojnë...


“Shërbimet shëndetësore janë mesatarisht të kënaqshme, kur dihet se në çfarë kushtesh punojnë dhe në çfarë niveli është sistemi shëndetësor. Stafi i mjekëve është në nivelin e duhur, mundohen me ato kushte që i kanë, të ofrojnë një shërbim të mirë”
.

Nëse krahasohet niveli i shërbimeve shëndetësore në mes sektorit publik dhe atij privat, Ilir Tolaj jep një shpjegim më të detajuar:

”Cilësia nuk do të thotë ajo çka shihet me sy dhe infrastruktura, atë që e ofron sektori privat. Janë parametra tjerë që e matin cilësinë, e ne nuk e kemi bërë një gjë të tillë deri tani asnjëherë - as për sektorin publik, as për atë privat”.

Si në çdo profesion tjetër, sektori privat është më dinamik, më elastik në ndryshime të tregut.
Ndërkaq, Talat Gjinolli, neurokirurg në sektorin privat, thotë se 12 vjetët e fundit sektori privat ka bërë një kërcim të theksuar sa i përket shërbimeve shëndetësore.

”Në sektorin privat, sidomos në disa degë të ofrimit të shërbimeve, kohëve të fundit kemi treguar një shkëputje nga sektori publik. Si në çdo profesion tjetër, sektori privat është më dinamik, më elastik në ndryshime të tregut. Investimet janë më të lehta, pa procedura, derisa në sektorin publik u nënshtrohen procedurave dhe buxhetit të limituar që i kufizon shumë në përcjelljen e teknologjive të reja mjekësore, e që gjithsesi ndikojnë në cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, thotë Gjinolli.

Sidoqoftë, sipas Tolajt, Ministria e Shëndetësisë është ajo që do të duhej të formojë një komision, i cili do të merrej me të gjitha këto aspekte të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, të shikojë implementimin e tyre në të dy sektorët - atë publik dhe privat, derisa kjo deri tash asnjëherë nuk është bërë.
XS
SM
MD
LG