Ndërlidhjet

Libi: A do të armatosen kryengritësit?


Vazhdon lufta për qytete...
Vazhdon lufta për qytete...
Raportet nga Libia flasin për largimin e luftëtarëve rebelë nga Ras Lanufi, pasi trupat e Muamer Gadafit ripushtuan qytetin strategjik të rafinerisë së naftës me tanke dhe artileri.

Një korrespondent i AFP-së tha se kryengritësit e opozitës janë larguar nga pozicionet e tyre drejt qytetit Ukajka, rreth 20 kilometra në lindje të Ras Lanufit.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se Uashingtoni nuk e ka përjashtuar mundësinë e armatosjes së rebelëve.

“Nuk e përjashtoj si mundësi, por as nuk po e përfshij si të tillë. Ne ende jemi duke bërë vlerësimet për ato që po bëjnë forcat e Gadafit”, tha presidenti amerikan për televizionin NBC.

Një gjë të tillë nuk e ka hedhur poshtë as kryeministri britanik, Dejvid Kameron.

“Embargoja e armëve zbatohet në tërë territorin e Libisë. Por, në të njëjtën kohë, Rezoluta 1973 e Këshillit të Sigurimit lejon të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur civilët dhe zonat e popullura me civilë”.

“Nga pikëpamja jonë, kjo nuk e përjashton domosdoshmërisht dhënien e asistencës atyre që mbrojnë civilët në rrethana të caktuara. Pra, siç e kam thënë edhe më herët, ne nuk e përjashtojmë si mundësi, por nuk kemi marrë vendim për të bërë një gjë të tillë”,
u tha Kameron ligjvënësve në Londër.

Të martën, aleatët perëndimorë janë dakorduar për ngritjen e një grupi të kontaktit, i cili do të udhëheqë përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Libisë. (v.t.)

XS
SM
MD
LG