Ndërlidhjet

Dezerton ministri libian


Musa Kusa
Musa Kusa
Ministri i Jashtëm i Libisë, Musa Kusa ndodhet në Britani dhe "nuk është më i gatshëm" të punojë për regjimin e liderit Moamer Gadafi.

Zyra e jashtme britanike tha se ai mbërriti në aeroportin afër Londrës të mërkurën.

Raportohet se ai ka biseduar disa orë me zyrtarët britanikë.

Dezertimi i tij vjen në kohën kur kryengritësit në Libi po tërhiqen nga bastionet që i mbanin përgjatë brigjeve lindore pas avancimit të trupave besnike të Gadafit, teksa fuqitë botërore po e konsiderojnë armatimin e forcave rebele.

Besnikët e Gadafit të mbështetur nga tankset dhe artileria arritën dje në paralagjet e qytetit Axhdabia, 160 km në lindje të Bengazit, pasi i ripushtuan qytetet Ras Lanuf, Ukajla dhe Brega.

Kundërofenziva e fundit e Gadafit erdhi një ditë pasi kryengritësit avancuan 100 km në lindje të qytetit Sirte, vendlindjen e udhëheqësit libian.

Në perëndim të vendit, besnikët e Gadafit ende e mbajnë të rrethuar qytetin Misrata.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe nuk e kanë përjashtuar mundësinë e armatosjes së kryengritësve.

Shtetet e Bashkuara shfaqën dyshime për emërimin e ish ministrit të jashtëm të Nikaraguas, si i dërguar i Libisë në Kombet e Bashkuara.

Nikaragua tha se Miguel D'Esoto do ta përfaqësojë Libinë në organizatën botërore.

Ambasadorja amerikane në OKB, Suzan Rajs, tha se D'Esoto ndodhet në SHBA me vizë turistike, e cila "nuk i lejon të përfaqësojë asnjë vend në Kombet e Bashkuara".

Shumica e diplomatëve në misionin libian, përfshirë ambasadorin dhe zëvendësin e tij, braktisën regjimin e Moamer Gadafit dhe mbajtën anën e kryengritësve.(v.p.)
XS
SM
MD
LG