Ndërlidhjet

Të rinjtë ballafaqohen me papunësi


Të rinjtë kosovarë...
Të rinjtë kosovarë...
Të rinjtë mendojnë se Kosova ende mbetet një vend pa perspektivë . Ata përballen me shumë sfida si, papunësia e mungesa e lëvizjes së lirë. Kosova konsiderohet të jetë vendi ku 70 për qind e popullatës është më e re se 37 vjeç.

Naim Selimi, qytetar, thotë se edhe shumë vjet të ardhshme nuk sheh ndonjë perspektivë në Kosovë:

”Të rinjtë kosovarë nuk kanë asnjë perspektivë. Unë mendoj se edhe 20-30 vjet nuk do të ketë perspektivë në Kosovë”.


Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Ligji për fuqizimin në pjesëmarrjen e rinisë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe institucioni që zoti Krasniqi e drejton i implementon gjitha dispozitat ligjore që parashihen aty.
Sheshi "Nënë Tereza", Prishtinë (Foto arkiv)

”Ligji për fuqizimin e rinisë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ne i implementojmë dispozitat ligjore që parashihen aty, duke përfshirë edhe këshillat për veprim lokal. Për pak muaj besojmë se do ta kemi edhe këshillin për veprim rinor në nivel të Republikës së Kosovës, që do të jetë një organ i rëndësishëm dhe do të ndërlidhet me aspektet e fuqizimit të aspekteve rinore”,
deklaron Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, sociologët në vend mendojnë se problemi më i madh i rinisë kosovare është papunësia. Linda Gusia, sociologe, thotë se me problemin e papunësisë ndërlidhen edhe shumë probleme tjera sociale. Ajo shpjegon:

”Është problem t’i themi të gjitha problemet, me të cilat rinia përballet, sepse ka shumë dhe janë të ndryshme. Dallojnë ato të vendeve rurale me ato urbane. Por, në përgjithësi është papunësia ajo që i mundon më së shumti njerëzit”.

Ndërkaq, Raba Gjoshi, zyrtare në organizatën “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut”, numëron një varg problemesh dhe sfidash, me të cilat përballet rinia kosovare.

”Niveli i edukimit që ju ofrohet atyre është ajo që nuk nxit mendimin kritik te të rinjtë e Kosovës dhe është një sistem i edukimit që nuk ofron shumë perspektivë për ta. Pastaj, papunësia është problem shumë i madh, e që është shumë evident. Gjithashtu, lëvizja e lirë është një nga problemet kyç”,
thotë Gjoshi.

Sidoqoftë, ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, thotë se do të krijohen mundësi për rininë, jo vetëm në zonat urbane, por edhe ato rurale e posaçërisht ato që quhen si grupe të margjinalizuara.
XS
SM
MD
LG