Ndërlidhjet

Veriu në tension


Ura në Mitrovicë
Ura në Mitrovicë
Në zyrën e një kompanie sigurimesh në Zubin Potok ka ndodhur një shpërthim në orët e vona të së dielës, kanë njoftuar zyrtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë. Kjo zyrë gjendet afër vendkalimit kufitar numër 31 në Bërnjak.

Besim Hoti, zëdhënës i policisë, tha për Radion Evropa e Lirë se nga ky shpërthim janë shkaktuar dëme materiale, por nuk ka pasur persona të lënduar.

“Persona të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes. Në këtë rast besohet të jetë një granatë dore e tipit M75. Dëme materiale janë shënuar në zyrën e regjistrimeve të Kosovës. Është me rëndësi që nuk ka persona të lënduar”, tha Hoti.

Po mbrëmë, sipas zëdhënësit Hoti, në Mitrovicë janë lënduar tre qytetarë, dy serbë e një shqiptar, gjatë një rrahjeje midis tifozëve të ekipit të basketbollistëve të klubit Trepça dhe atij serb Bambi.

“Për motive ende të panjohura ka ardhur deri të një provokim në mes të dy klubeve, me ç’rast janë përfshirë në rrahje basketbollistët e të dyja klubeve. Tre nga basketbollistët, dy nga radhët e klubit ‘Bambi’ dhe një nga radhët e klubit ‘Trepça’, kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, bëri të ditur Hoti.

Policia për këtë incident tha se ka marrë në pyetje 11 persona, kurse ndaj tre personave të përfshirë në rrahje është ngritur kallëzim penal.

Autoritetet e rendit në Mitrovicë vlerësojnë se situata e sigurisë në atë pjesë të vendit mbetet e qetë, por e tensionuar. Strukturat paralele serbe janë ato, që, sipas shumë vlerësimeve, e mbajnë të tensionuar pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Edhe zyrtarët e Komunës së Mitrovicës pranojnë se herë pas here situata e sigurisë në veri është e tensionuar.

Riza Haziri, nënkryetar i komunës, tha se ekzistojnë plane për integrimin e qytetarëve, që, sipas tij, do të ndihmonin edhe në evitimin e incidenteve.

“Ne tentojmë të kemi kontakte edhe me komunitetet tjera. Problemin më të madh e kemi me komunitetin serb, sepse kontaktet janë të përgjithshme. Plane ka, por ato duhet të zbatohen dalëngadalë, përmes aksioneve të ndryshme... Pra, përmes kontakteve, të integrohen komunitetet në komunën e Mitrovicës”, deklaroi Haziri.

Tensionet në veriun e Kosovës kanë qenë pothuajse gjatë gjithë kohës të pranishme, por së fundi ato janë përcjellë edhe me shpërthime dhe incidente të tjera, që për cak kishin pjesëtarët e komunitetit joserb, apo serbët që punojnë në institucione të Kosovës, por edhe praninë ndërkombëtare.

Serbët në veri të Mitrovicës së fundi kanë ndërprerë të gjitha kontaktet edhe me misionin e Bashkimit Evropian - EULEX.
XS
SM
MD
LG