Ndërlidhjet

Ivanoviq/Jakshiq: Duam bisedime për statusin!


Ura qendrore në Mitrovicë
Ura qendrore në Mitrovicë
Takimi i tretë i bisedimeve në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka përfunduar të premten, nuk ka sjellë ndonjë rezultat të prekshëm dhe madje nuk pritet të sjellë diçka, vlerësojnë liderët politikë të serbëve të veriut.

Ata thonë se dialogun, në mënyrën dhe formatin që po zhvillohet, e kanë kundërshtuar që në fillimin e tij dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë ende.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb i Veriut të Kosovës, thotë se bisedimet esenciale në kuadër të këtij dialogu po zhvillohen në fshehtësi dhe, sipas tij, rezultatet nuk po bëhen transparente.

Ai thekson se dialogu për çështje teknike, nuk e ka dhe nuk do ta ketë përkrahjen e serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër.
Bisedime duhet të zhvillohen, por vetëm për statusin dhe jo çështjet teknike.

“Mendimi ynë është që bisedime duhet të zhvillohen, por vetëm për statusin dhe jo për çështjet teknike, sepse në këtë mënyrë po paragjykohet statusi i Kosovës, gjegjësisht, po pranohet shpallja ilegale e shtetit të Kosovës”, thotë Ivanoviq.

Ai po ashtu kritikon autoritetet në Beograd për faktin se, siç thotë, nuk janë konsultuar me serbët e Kosovës dhe kanë krijuar një ekip për bisedime, në krye të të cilit “është njeriu, i cili nuk jeton në Kosovë dhe nuk i njeh problemet e serbëve që jetojnë në këtë hapësirë”.

Me një gjë të tillë, shton Ivanoviq, nuk pajtohet Këshilli Kombëtar Serb.

Edhe Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, e kundërshton dialogun në fjalë, duke thënë se ai është i panevojshëm për shtetin serb.

Sipas tij, dialogu mes palës kosovare dhe serbe është i nevojshëm për Prishtinën dhe si i tillë i është imponuar Serbisë, për shkak të lëshimeve që ajo ka bërë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Marko Jakshiq
Këto bisedime janë të imponuara. Ato janë nën presion... Për këtë arsye, mendoj se Serbia nuk guxon të zhvillojë kurrfarë bisedimesh tjera, përveç të ashtuquajturave bisedime për statusin dhe kurrsesi bisedime për çështje teknike”, thekson Jakshiq.

Të dy këta politikanë serbë thonë se, pavarësisht kundërshtimeve të tyre, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në çfarëdo rasti do të jetë i pasuksesshëm.

Ivanoviq thotë se të dyja ekipet nuk e kanë legjitimitetin dhe mbështetjen e mjaftueshme nga popujt që i përfaqësojnë. Rrjedhimisht, ai shprehet pesimist për ndonjë rezultat pozitiv.

Është e dukshme se deri më tash nuk ka rezultate. Mendoj se të dyja palët dhe të dyja ekipet në bisedime nuk e kanë legjitimitetin e vërtetë nga popujt e tyre. Andaj, mendoj se gjithçka është vënë në pikëpyetje dhe nuk jam optimist se bisedimet e këtilla mund të sjellin diç të mirë”, shprehet Ivanoviq.

As Jakshiq nuk beson në suksesin e këtij dialogu.

Personalisht mendoj se nuk do të ketë sukses, jo vetëm për shkak të mënyrës se si po zhvillohet dialogu, por edhe për shkakun se, fundja, këto bisedime që po zhvillohen, sa u përket serbëve, nuk janë të domosdoshme”, deklaron Jakshiq, duke kritikuar palët në bisedime për “jotransparencë”, lidhur me përmbajtjen e diskutimeve në takime.

Sidoqoftë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Zyrtarët e bllokut kanë thënë se në dialog janë hapur disa tema për diskutim, porse ende nuk është arritur asnjë marrëveshje lidhur me çështjet e parashtruara.

Lexoni edhe këtë:
Bisedimet pa strategji (?)
XS
SM
MD
LG