Ndërlidhjet

Euro-dyshuesit triumfojnë në Finlandë


Kreu i Partisë Finlandezët e Vërtetë, Timo Soini, kremton fitoren. Helsinki, 17 prill 2011.
Kreu i Partisë Finlandezët e Vërtetë, Timo Soini, kremton fitoren. Helsinki, 17 prill 2011.
Shtypi në Finlandë i ka cilësuar si revolucion rezultatet e zgjedhjeve të së dielës, ku partia në pushtet u largua nga qeverisja dhe pati një dalje të fuqishme në skenë të Partisë Finlandezët e Vërtetë - parti nacionaliste që njihet si mosbesuese ndaj Bashkimit Evropian.

Partia në fjalë pret që të përfshihet në bisedimet për krijimin e qeverisë së re. Kjo do t’i komplikojë planet e Evropës për të zbatuar paketat ekonomike të ndihmës për vendet anëtare në vështirësi.

Në parlamentin e ri, Partia Finlandezët e Vërtetë do të ketë 39 deputetë, Social-Demokratët 42, kurse Koalicioni Kombëtar i qendrës së djathtë 44 ulëse.

Partia e Qendrës e kryeministrit aktual, Mari Kiviniemika, ka marrë vetëm 15.8% të votave dhe tha se do të kalojë në opozitë.

Kreu i Partisë Finlandezët e Vërtetë tha se pret që të përfshihet në negociatat për krijimin e qeverisë së re.

Ne po përpiqemi të jemi pjesë e qeverisë dhe shumicës qeverisëse. Shpresojmë që do të jemi një pjesë e koalicionit, të cilit do t’i bashkëngjiten dhe parti të tjera. Me këto të fundit do të negociojmë për çështjet që na shqetësojnë neve lidhur me Bashkimin Evropian”, tha Timo Soini.

Fuqizimi i kësaj partie reflekton frustrimin e finlandezëve lidhur me pasojat buxhetore dhe shpenzimet e tepërta që duhet të bëjnë për të përballuar krizën financiare të Eurozonës.

Partia Finlandezët e Vërtetë është shprehur disa herë se nuk e kupton përse Finlanda duhet t’i shpëtojë vendet evropiane që shpenzojnë më tepër se ç’kanë.

Kanë qenë pikërisht paketat evropiane të shpëtimit për vendet si Greqia e Portugalia një nga faktorët kryesorë që ka motivuar finlandezët të votojnë për partinë nacionaliste.

“Mënyra se si Finlandezët e Vërtetë i bënë gjërat publike dhe ua qartësuan masave të gjera në mënyrën që ata e kuptonin, ka ndikuar shumë. Kaosi që krijuan Greqia e Portugalia është pasqyruar në rezultatet e këtyre zgjedhjeve”, tha Mati Pietilainen, votues finlandez.

Parlamenti finlandez ka të drejtë të votojë për paketat e shpëtimit, çfarë në terma konkretë mund të përkthehet si vonesë për miratimin e pakos për Lisbonën.

Nga ana tjetër, Jirki Katainen, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë kryeministri i ri, tha se Finlanda nuk do të jetë vendi i Eurozonës që do të shkaktojë telashe.

Finlanda ka qenë gjithmonë një zgjidhës i përgjegjshëm i problemeve dhe jo shkaktar i vështirësive. Në pyetje është një kauzë e përbashkët evropiane”, tha Katainen.

Finlanda është e fundit në mesin e vendeve evropiane, ku ekstremi i djathtë ka shënuar përparim. Muajin e kaluar, Partia Fronti Kombëtar në Francë shënoi përparim të ndjeshëm në zgjedhjet rajonale, krahasuar me partinë e Sarkozisë.

Po kështu edhe në Holandë, Gert Uilder nga Partia e Lirisë, që e bëri fushatën me moton “T’i jepet fund islamizimit të Holandës”, gëzon mbështetje të konsiderueshme.

Por, kreu i Partisë Finlandezët e Vërtetë është përpjekur të largojë drojën që ekziston rreth agjendës politike të partisë së tij.

Ne nuk jemi ekstremistë, prandaj flini të qetë”, tha Soini në paraqitjen e parë para mediave, pas rezultatit pozitiv të arritur të dielën. (i.b.)
XS
SM
MD
LG