Ndërlidhjet

Intensifikohet rebelimi në Siri


Demonstruesit në Sheshin e Orës
Demonstruesit në Sheshin e Orës
Siria ka hyrë në krizë të thellë politike, pasi mijëra demonstrues anti-qeveritarë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit të tretë më të madh, Homs. Demonstruesit janë deklaruar se nuk do të largohen nga ky shesh, derisa ta rrëzojnë regjimin e presidentit, Bashar Al Asad. Raportohet se forcat e sigurisë kanë sulmuar me armë zjarri protestuesit, të cilët qeveria i akuzon se po realizojnë një “kryengritje të armatosur”.


Dëshmitarët në qytetin Homs të Sirisë thonë se trupat qeveritare i sulmuan protestuesit, fillimisht me gaz lotsjellës dhe më pas me municion. Ministria e Brendshme e Sirisë u deklarua se po vepron kundër asaj që e përshkroi si “kryengritje e armatosur”.

Demonstruesit janë deklaruar se nuk do të largohen nga sheshi i këtij qyteti deri në rrëzimin e qeverisë së presidentit Bashar Al Asad. Agjencia franceze e lajmeve citon disa nga aktivistët, të cilët thonë se 20 mijë veta janë mbledhur në Sheshin e Orës - disa prej të cilëve tashmë kanë vendosur tendat, për të krijuar përshtypjen se do të rrinë një kohë të gjatë në këtë vend.

Kjo protestë pasoi funeralin e 12 personave, të cilët u vranë të dielën, pasi ushtarët sulmuan me armë zjarri demonstruesit që protestonin vdekjen e një udhëheqësi fisnor, i cili ndërroi jetë derisa ishte i burgosur.

Populli dëshiron rrëzimin e regjimit...”, janë dëgjuar duke bërtitur protestuesit, derisa merrnin pjesë në atë funeral.

Ministria e Brendshme e këtij vendi ka deklaruar se qyteti Homs “po terrorizohet nga salafistët e armatosur”, një grup që zbaton në formë strikte Islamin sunit dhe që në shumë vende arabe akuzohet se ka lidhje me Al Kaidën.

Presidenti Asad dhe disa zyrtarë të lartë sirianë kanë akuzuar edhe, siç kanë thënë ata, “komplotistët e huaj” për trazirat.

Gazeta “Washington Post” ka raportuar më 17 prill se Departamenti amerikan i Shtetit u ka dhënë fonde grupeve opozitare siriane, mirëpo zëdhënësi i këtij institucioni, Mark Toner, e ka hedhur poshtë mundësinë që këto veprime kanë qëllim largimin nga pushteti të Asadit.

“Ne nuk po punojmë që të dëmtojmë qeverinë. Ajo që ne po bëjmë në Siri, përmes përkrahjes së shoqërisë civile, është të ndërtojmë institucione demokratike - ajo që ne e bëjmë në të gjitha vendet e globit”.

“Kur unë isha në Poloni gjatë viteve ‘90, kemi punuar jashtëzakonisht shumë me shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare. Dallimi në këtë rast është se qeveria siriane e merr këtë lloj të ndihmës si kërcënim për ekzistencën e saj”,
ka vlerësuar Toner.

Sipas të njëjtit zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit, duke u ndihmuar grupeve opozitare po tentohet që të nxitet presidenti Asad për të bërë ndryshime demokratike.

“Duke bërë përpjekje për promovimin e transformimit në një proces më demokratik në shoqëri, nuk do të thotë patjetër dëmtim i qeverisë aktuale. Ajo që ne po provojmë të bëjmë dhe ajo me të cilën presidenti Asad po përballet tani, është shtytja nga populli i tij për të shkuar në një drejtim më demokratik”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, në një nga vlerësimet e mëparshme që i ka bërë udhëheqësit aktual sirian, ka thënë se Asad është “një reformist”. (a.h.)

Lexoni edhe këtë:
Raporti: SHBA-të financojnë opozitën në Siri
XS
SM
MD
LG