Ndërlidhjet

Shkallë e lartë e inflacionit


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Indeksi i çmimeve të konsumit, i cili, ditë më parë, është publikuar nga Enti Statistikor i Kosovës, tregon se shkalla e inflacionit, e matur në muajin mars 2011, është 10.8 për qind.

Ekspertët e çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se kjo është një goditje për buxhetin e konsumatorëve, por edhe për ekonominë kosovare në përgjithësi.

Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se inflacioni ka goditur pothuajse të gjitha vendet e Evropës, por krahasuar me këto vende, niveli i tij në Kosovë është gati i dyfishtë.

“Është shkallë shumë e lartë e inflacionit, që është thuajse dyfish më e lartë se në Euroznë. Ky inflacion i lartë i ka edhe shkaqet, edhe specifikat e posaçme në Kosovë”.

“Për shkak të mungesës së rezervave shtetërore dhe për shkak të mosndërhyrjes së qeverisë në ngritjen e disa çmimeve të ushqimit që përdoret në Kosovë, kemi një ngritje shumë të lartë të çmimeve të produkteve esenciale”,
thotë Bektashi.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, e vlerëson si alarmuese shkallën e inflacionit në Kosovë, për shkak se ka arritur afër 11 për qind. Sipas tij, burime të kësaj shkalle të inflacionit janë dy faktorë.

“I pari, është një efekt psikologjik, i cili është krijuar me rastin e paralajmërimit për rritjen e pagave, ku shumë prej tregtarëve kanë pritur që një sasi më e madhe e parave do të dalë në qarkullim. Përmes ngritjes së çmimeve, kanë tentuar që ato t’i fusin sa më shpejt në qarkullimin e tyre”.

“Fakti tjetër është importi. Pothuajse e gjithë bota është e ballafaquar me rritjen shumë të madhe të çmimeve të artikujve ushqimorë dhe të karburanteve. Prandaj, këto dy çështje nuk kanë mundur të anashkalohen dhe të jenë pa ndikim në ekonominë, përkatësisht në tregun e Kosovës, kur dihet se ndoshta rreth 90 për qind e kërkesave të tij mbulohet nga importi”,
thekson Rexhepi.

Të dy këta ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se hovi më i madh në ngritjen e çmimeve në Kosovë ka qenë gjatë 4 ose 5 muajve të fundit.

Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, vetëm në muajin mars të këtij viti, çmimet e konsumit kanë pësuar rritje për 1.1 për qind. Ndërsa, që nga fundi i vitit të kaluar e deri më tash, edhe karburantet kanë pësuar ngritje të dukshme të çmimit.

Disa qytetarë të Prishtinës thonë se ngritja e çmimeve tashmë është e dukshme dhe se kjo po e atakon koston e jetesës së tyre. Besim Bytyqi thotë:

“Është e vërejtshme (ngritja e çmimeve) prej fillimit të këtij viti. Nuk e di me përqindje, por… vaji më herët ka qenë 1.20 (euro) e tash, me sa di, është 1.80 (euro). Gjërat që dikur i ke blerë me 15 euro, sot nuk mund t’i blesh me 20 euro”.

Ngjashëm thotë edhe Ibadete Shaljani:

“E vërejmë gjithkund (ngritjen e çmimeve), në sheqer, vaj, miell, bukë… në të gjitha këto të përgjithshmet, që i përdorim çdo ditë. Buxhetin e familjes sonë e rëndon shumë kjo. Me një pagë… shumë e rëndon”.

Xhafer Hamiti po kthehej nga tregu, ndërsa përshtypjet e tij janë këto:

“Shportën që e ke marrë para një kohe me 100 euro, tash nuk e merr as me 150 euro. Çdo gjë është më e shtrenjtë se më parë. Kjo nuk ka të ndalur… nuk po i dihet ku e ka fundin”.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se inflacioni më së shumti do të reflektojë te shtresat e varfra të qytetarëve në Kosovë. Profesor Bektashi thotë:

“Për shtresat më të varfra është një goditje shumë e madhe në standardin e tyre dhe në aftësinë e tyre blerëse”.

Ndërkaq, Rexhepi thekson se ngritja e çmimeve do të ndikojë negativisht në nxitjen e prodhimit vendor.

“Meqenëse karburantet kanë ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimin e secilit artikull, rritja është zinxhirore. Nëse nuk intervenohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë, atëherë mund të pritet një rritje spekulative”.

“Për inflacionin real, nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet ta pranojmë dhe ai të mbahet në kufijtë e reales, meqenëse këtu me të madhe reflektohen çmimet që zhvillohen në tregun botëror”,
thotë Rexhepi.

Ekspertët e ekonomisë theksojnë se rritja e mëtutjeshme e inflacionit do të zhvlerësonte çdo angazhim dhe mundësi për zhvillim të mëtejshëm.
XS
SM
MD
LG