Ndërlidhjet

Plani i (pa)realizueshëm


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Disa nga pikat e planit ekonomik të Qeverisë së Kosovës 2011-2011, sipas njohëse të çështjeve ekonomike, janë të parealizueshme. Ata thonë se për realizimin e prioriteteve ekonomike të përcaktuara në këtë plan, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë reforma rrënjësore.


Rritja ekonomike prej rreth 7 për qind, privatizimi i aseteve publike, ulja e papunësisë deri në 10 për qind, kalimi nga ekonomia joformale në atë formale, zhvillimi i sektorit të arsimit dhe të tjera, janë caktuar si prioritete të Qeverisë së Kosovës në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Njohës të çështjeve ekonomike japin mendime të ndryshme rreth planit ekonomik të Qeverisë të Kosovës të publikuar disa ditë më parë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, shprehet skeptik se Qeveria e Kosovës do të mund të realizojë rritje ekonomike prej 7 për qind dhe ulje të vjetore të papunësisë 8 për qind.
Lekë Musa

“Dy vitet e para do të jetë e vështirë të realizohet rritje ekonomike prej 7 deri në 8 për qind dhe zvogëlim i papunësisë brenda vitit. Kjo duhet fillimisht të shkohet në privatizimin e aseteve publike, heqjen e barrierave për biznes, rivitalizimin e bujqësisë, zhvillimin e infrastrukturës dhe reformat tjera që janë paraparë”
, thotë Musa.

Edhe Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja ekonomike vjetore prej 7 deri në 8 për qind dhe zvogëlimi i papunësisë deri në 10 për qind, vështirë mund të realizohen.

Musa Limani

“Nuk e di, ndoshta mund të jetë reale, unë do të dëshiroja të jetë reale. Por, nga ajo që unë e njoh strukturën e ekonominë së Kosovës dhe mundësitë materiale të bizneseve kosovare, është e parealizueshme që në këto kushte të ekonomisë të arrihet një dinamikë e tillë e zhvillimit në Kosovë”,
shprehet Limani.

Në bazë të planit të Qeverisë për zhvillim ekonomik 2011-2014 zhvillimi i vendit është paraparë të arrihet nëpërmjet rritjes së konkurrencës, fuqizimit të sektorit privat, gjenerimit të punësimit, përmirësimit të imazhit të Kosovës për investime dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe stabil për investime.

Prioritetet e caktuara nga Qeveria e Kosovës, sipas drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, janë mirë të përcaktuara, por kësaj strategjie do të duhej shtuar disiplina fiskale për shkak të çrregullimit të balancimit që është bërë me rritjen e pagave në sektorin publik.

“Do të duhej që kësaj strategjie t’i bashkohej një plan në luftën kundër korrupsionit që është i lidhur me sistemin e prokurimit qeveritar. Dhe, do të duhej të ketë një plan të qartë se çfarë duhet të bëjë qeveria, në mënyrë që të përmirësojë transparencën dhe të rrisë besimin e kompanive serioze në procesin e prokurimit qeveritar në Kosovë”,
thekson Musa.

Në anën tjetër, kryetari i Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave, Isa Mulaj, vlerëson se plani i Qeverisë për zhvillim ekonomik 2011-2014 është i mangët dhe vështirë i realizueshëm. Mulaj kritikon Qeverinë që nuk ka përfshirë një ekip më të madh gjatë hartimit të planit.

“Po të kthehemi në realitet se në cilët parametra po bazohet Qeveria për arritjen e objektivave, unë nuk e di ka ndonjë bazë. Aktualisht Kosova ka një ekonomi që ka shkuar në kolaps të plotë, ka krizë buxhetore, deficit buxhetor”
, vlerëson Mulaj.

Plani i Qeverisë për zhvillim ekonomik 2011-2014 do të miratohet në Qeveri më 15 maj, më pas do të diskutohet me komisionet parlamentare, shoqërinë civile dhe faktorët e tjerë relevantë.

Lexoni edhe këtë:

Plani drejt ekonomisë së tregut
XS
SM
MD
LG