Ndërlidhjet

SHBA DHE BE TË GATSHME PËR NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS


International Herald Tribune

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do ta njohin Kosovën nëse udhëheqësit e saj shpallin pavarësinë nga Serbia në fillim të muajit dhjetor, pasi të kenë përfunduar negociatat, kanë thënë të hënën zyrtarë të lartë amerikanë dhe evropianë. “Rregullat e lojës tashmë janë caktuar”, ka thënë një diplomat i lartë evropian, në kushte anonimiteti, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj cështjeje. “Bisedimet përfundojnë më 10 dhjetor. Nëse deri atëherë nuk ka shenja të pajtueshmërisë midis Serbisë dhe Kosovës, atëherë Kosova do të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Shtetet e Bashkuara do ta njohin atë pavarësi dhe evropianët, përderisa mbeten unanim, do ta bëjnë të njejtën gjë”, ka thënë diplomati evropian. Bashkimi Evropian do ta mbështesë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara pavarësisht nga preferencat e qarta për një zgjidhje të miratuar brenda Kombeve të Bashkuara. Por, për 27 vendet anëtare do të jetë e vështirë të flasin me një zë, ka thënë diplomati evropian. Duke ilustruar problemet në këtë drejtim, presidenti francez Nicolas Sarkozy ka thënë se Evropa duhet të jetë e bashkuar në rastin e Kosovës, por kundërshtimi i Rusisë gjithashtu duhet të merret parasyshë. “Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme në një afat më të gjatë kohor”, ka thënë Sarkozy, duke shtuar se presidenti Vladimir Putin duhet të kuptojë se askush nuk dëshiron ta nënçmojë atë. Rumania dhe Sllovakia, nga frika se komuniteti hungarez në vendet e tyre do të synonte një autonomi më të gjerë, pritet t’u nënshtrohen presioneve të rënda nga Washingtoni për të pranuar pozicionin e BE-së. Greqia dhe Qiproja ndërkaq, mund të jenë kundër. Greqia, aleate e ngushtë e Serbisë, është e shqetësuar se Maqedonia fqinje do të mund të destabilizohej për shkak se shqiptarët që jetojnë në këtë ish republikë jugosllave do të mund të kërkonin pavarësinë. Qiproja, e ndarë midis veriut turk dhe jugut grek, ka frikë se shembulli i Kosovës do të mund të shfrytëzohej nga qipriotët turqë. Me rrezikun që gjendet përballë unitetit të Bashkimit Evropianë, diplomatët, edhe pse nuk kanë aq shumë shpresa, kanë thënë se do të bëhen të gjitha përpjekjet gjatë takimit të kësaj jave në New York midis Kosovës dhe Serbisë. “Mendoj se më së miri është të punojmë nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Ivan Vejvoda, drejtor i zyrës në Beograd të German Marshall Fund. “Kjo do të siguronte një solidaritet dhe legjitimet të plotë demokratik në rajon”. Diplomatët amerikanë dhe ata evropianë kanë thënë se statusi i Kosovës nuk guxon të lihet pafundësisht në amulli.
XS
SM
MD
LG