Ndërlidhjet

GASHI:”KOSOVA KA PËR OBLIGIM TA SHPALLË PAVARËSINË, PASTAJ VJEN NJOHJA”


Alush GASHI, Lidhja Demokratike e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, këto ditë është përfolur shumë për një dokument 14 pikësh, i cili thuhet se u është prezantuar palëve në bisedime nga Treshja ndërkombëtare. Andaj, cilat konsideroni se janë të rejat në procesin negociues nga Brukseli e këndej?

ALUSH GASHI
Mendoj se, dita-ditës, vetëdijesimi ndërkombëtar për domosdonë e pavarësisë së Kosovës, si perspektivë për qytetarët e Kosovës dhe për paqen rajonale, është evident. Ne jemi në një fazë, ku Unioni Evropian ka filluar t’i tejkalojë problemet e veta lidhur me Kushtetutë, lidhur me udhëheqjen e Unionit Evropian. Dhe, me tejkalimin e këtyre problemeve, do të jetë shumë më mirë, që në ditët e ardhshme, të deklarohet publikisht edhe vendimi për njohjen e pavarësisë së vendit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, cilat konsideroni se duhet të jenë veprimet e Prishtinës, si në planin e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm, në aspektin e përmbylljes së statusit të Kosovës?

ALUSH GASHI
Prishtina duhet të jetë shumë serioze dhe shumë e vyeshme në të gjitha frontet, me unitetin funksional në Kosovë, si dhe me një aktivitet të theksuar jashtë vendit. Kemi rast të jashtëzakonshëm, që në zgjedhjet e 17 nëntorit, qytetarët e Kosovës, përmes pjesëmarrjes masive në zgjedhje, të cilat unë i shoh si akt patriotik, të dëshmojnë përkushtimin e tyre për një Kosovë ta pavarur, sovrane dhe demokratike. Andaj, pjesëmarrja në zgjedhje është testi i parë që ne kemi, pjesëmarrja masive në zgjedhje është porosia më e fuqishme që Kosova mund t’ia dërgojë botës. Ne jemi në dijeni si Kuvend, që Ekipi i Unitetit është duke zbatuar me përpikëri rezolutën e Kuvendit, e cila rezolutë e mandaton dhe i përcakton kufijtë e fushëveprimit të Delegacionit të Unitetit. Dhe, Kuvendi duhet të intensifikojë punën e vet në miratimin e ligjeve. Ahtisaari për ne është i pranueshëm në një Kosovë të pavarur dhe sovrane. Ne, si Kuvend, jemi të përgatitur, që në momentin e njohjes së pavarësisë të mos ketë ngecje në zbatimin e planit të Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët në disa raste ‘modifikimi i planit të Ahtisaarit’. Andaj, sa mund të jenë të pranueshme modifikimet, plotësimet, apo edhe zbërthimet e reja në këtë dokument, tashmë të miratuar nga Kosova?

ALUSH GASHI
Bisedimet quhen bisedime shtesë. Qëndrimi i delegacionit të Kosovës është publik, është ofrimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës së pavarur dhe Serbisë së pavarur. Gjatë këtij procesi, nuk përjashtohen formulime të ndryshme që e garantojnë atë qartësim, sepse Kosova është treguar shumë serioze në dekadat e veta të ofrimit të bashkëpunimit rajonal. Ne, si Kosovë, jemi të interesuar që të gjithë qytetarët e Kosovës ta gëzojnë lirinë dhe prosperitetin dhe natyrisht, në kuadër të saj, edhe minoriteti serb. Ofrimi i garancive për minoritete, në kuadër të kësaj edhe për minoritetin serb, e fuqizon ndjenjën e sigurisë dhe të bashkëpunimit rajonal. Andaj, edhe ekziston një admirim ndërkombëtar për qasjen e Kosovës ndaj Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pritet edhe mbajtja e zgjedhjeve, për çka ju folët më parë. Andaj, sa mund të jetë ky si sinjal, që Kosova mund të ballafaqohet edhe me vakuum institucional, pikërisht në kohën e përmbylljes së negociatave shtesë?

ALUSH GASHI
Vendimi për zgjedhje është marrë. Andaj, shpresoj se zgjedhjet do të jenë me një pjesëmarrje masive, demokratike dhe do t’i ndihmojnë Kosovës në fazën finale të njohjes së saj. Kosova nuk ka llogari që të ketë vakuum institucional dhe besoj se nuk do të ketë vakuum. Menjëherë, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, konstituohet Kuvendi dhe zgjidhet Qeveria. Në vendin tonë, gjatë këtij mandati të kaluar, janë ndërruar tri qeveri. Prandaj, ne nuk guxojmë ta humbim asnjë ditë në lojëra lokale, në dëm të statusit të vendit. Prandaj, Qeveria duhet të zgjidhet, nëse jo të njëjtën ditë me konstituim të Kuvendit, atëherë një ditë pas.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Gashi, cilat konsideroni se duhet të jenë hapat e ardhshëm të Kosovës në fund të procesit negociues, sidomos në rast të bllokimit të procesit, siç ndodhi në fund të fazës së udhëhequr nga presidenti Ahtisaari?

ALUSH GASHI
Unë besoj se bashkësia ndërkombëtare ka shumë mundësi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosova e ka vetëm një - shpalljen e pavarësisë dhe njohjen nga bashkësia ndërkombëtare. Asnjë vend nuk e kanë pranuar të gjitha vendet menjëherë. Ne kemi mjaft kapacitete për t’i bindur shtetet individuale për njohje. Unë besoj se ajo njohje do të shkojë në tre-katër grupe shtetesh që do të na njohin. Besoj se në vitin 2008, Kosova do ta ketë një numër të konsiderueshëm të shteteve, me të cilat do të ketë njohje bilaterale.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG