Ibrahim MAKOLLI, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Makolli, fillimisht si e vlerësoni rezultatin që Aleanca Kosova e Re arriti në zgjedhjet e 17 nëntorit, si subjekt që mori pjesë për herë të parë në zgjedhje?
IBRAHIM MAKOLLI
Si subjekt politik që për herë të parë ofrohemi para elektoratit, natyrisht që pritjet tona kanë qenë më të mëdha, sesa këto që ne kemi arritur. Megjithatë, kur kemi parasysh që një mori parregullsish e kanë përcjellë sidomos ditën e votimit, e që kanë mundur deri diku të ndikojnë në rezultat, si subjekt i ri politik, që për herë të parë jemi në skenën politike kosovare, mund të thuhet që deri diku janë edhe rezultate të pritshme, të cilat AKR-në e radhisin ndër tri forcat kryesore politike në Kosovë.
RADIO EVROPA E LIRË
Ku e sheh veten AKR-ja tani pas rezultateve preliminare, në opozitë apo do të përfshihet në negociatat për qeverinë e re?
IBRAHIM MAKOLLI
Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë i lehtë ndërtimi i koalicionit qeveritar, për shkak të rezultatit që kanë prodhuar këto zgjedhje. Si subjekt politik, kemi deklaruar se jemi të hapur për çdolloj negociatash. Gjithsesi, nuk do të jemi pjesë e ndonjë qeverie vetëm sa për të ndërtuar një qeveri, vetëm sa për të pasur një qeveri. Jemi të interesuar për një qeverisje funksionale në Kosovë. Nëse edhe të tjerët, por nëse edhe ne vlerësojmë se mund të japim ndonjë kontribut në ndërtimin e një strukture të mirëfilltë qeverisëse në Kosovë, ne jemi të hapur për bisedime. Ndërkaq, po ashtu edhe si opozitë, ne do të luajmë një rol konstruktiv brenda institucioneve, brenda Parlamentit të Kosovës, gjithnjë me qëllim të një progresi më të madh institucional në Kosovë.
RADIO EVROPA E LIRË
Përveç institucioneve, në Kosovë ekziston edhe një trup që përfaqëson unitetin, pra Ekipi Negociues. Andaj, ju, si subjekti i tretë politik, a e shihni veten pjesë të këtij ekipi, kur dihet se procesi po hyn në fazën finale të definimit?
IBRAHIM MAKOLLI
Qëndrimi ynë i mëhershëm ka qenë se nuk do të duhej të kishim ekip të unitetit, për arsye se ne kemi institucione të zgjedhura nga vota e popullit, që do të duhej të merreshin me çështjet kardinale, siç është edhe çështja e statusit politik. Megjithatë, tashmë ne jemi para një akti të kryer, po ecim drejt finalizimit të këtij procesi dhe gjithsesi edhe ne si subjekt politik, pavarësisht se a do të ekzistojë ky grup edhe më tutje ose jo, do të jemi pjesë përbërëse e finalizimit të këtij procesi. Gjithsesi, kjo do të varet edhe nga zhvillimi i ngjarjeve në të ardhmen, ku një vend meritor besoj se do ta ketë edhe AKR-ja, qoftë brenda një grupi, të ashtuquajtur grup i unitetit, qoftë brenda institucioneve. Megjithatë, qëndrimi ynë është se me çështjen e statusit do të duhej të merrej më tepër Kuvendi i Kosovës, ai që është edhe i thirrur, ndërkaq, trupat tjerë që mund t’i ndërtojë Kuvendi i Kosovës, duhet të jenë gjithëpërfshirës, ngaqë statusi nuk i takon as vetëm një parlamenti, as vetëm një qeverie, as vetëm një subjekti politik, por është çështje që na takon të gjithëve dhe duhet të jenë të përfshira të gjitha instrumentet, të gjitha institucionet e Kosovës, në mënyrë që kontributi të jetë më i madh.
RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt, cilat janë parashikimet e juaja për finalizimin e statusit të Kosovës, duke pasur parasysh se 10 dhjetori parashihet si përmbyllje e një faze shtesë të negociatave?
IBRAHIM MAKOLLI
Ne të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm se edhe kjo fazë shtesë e negociatave nuk do të rezultojë me një pajtim të dyanshëm mes Kosovës dhe Serbisë për pavarësinë e Kosovës. Tashmë kujtoj se janë shterur të gjitha mundësitë për negociata të mëtutjeshme, ngase nuk do të prodhonin asgjë. Dhe, natyrisht, do të jemi në një fazë pas 10 dhjetorit, kur institucionet e Kosovës, në bashkëveprim me mekanizmat ndërkombëtarë, në radhë të parë me SHBA-të, duhet ta shohin formën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces. Natyrisht, gjithë kjo duhet të finalizohet me pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj, si e barabartë me të gjitha shtetet tjera. Ndërkaq, institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgjegjshme pas 10 dhjetorit, në mënyrë që të kenë edhe një koherencë dhe një vazhdimësi edhe me bashkësinë ndërkombëtare, që mos të shkaktojmë përplasje të mundshme, për shkak të ndonjë veprimi tonë të pamatur. Megjithatë, ne, si Kosovë, nuk mund të presim në pafundësi dhe natyrisht si secilit procesi, edhe këtij procesi i vjen fundi dhe ky duhet të jetë menjëherë pas përfundimit zyrtar të bisedave shtesë mes Kosovës dhe Serbisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Makolli, zgjedhjet e sivjetme sollën si rezultat edhe fitoren e PDK-së. Cilat janë pritjet e juaja, çfarë risish mund të sjellë një ndryshim i tillë në skenën politike dhe qeverisjen në Kosovë?
IBRAHIM MAKOLLI
Them të drejtën, jam mjaft skeptik për ndonjë ndryshim madhor, pavarësisht se cili subjekt mund të jetë në krye ose cili jo. Tashmë, së fundi, të gjithë ne, në radhë të parë spektri politik, por sidomos ata që do ta kenë përgjegjësinë që të udhëheqin me institucionet e Kosovës, do të jenë më të përgjegjshëm, sesa ata që ishin më parë. Po them, duhet të shpresojmë se do të ndodhë një gjë e tillë, megjithatë unë jam mjaft skeptik, për shkak se në Kosovë nuk janë ndërtuar mekanizma të efektshëm dhe kemi mungesë të veprimit institucional dhe kemi sidomos ndërtim të një sistemi që nuk ofron vlera, nuk ofron përgjegjësi. Përkundrazi, të gjitha veprimet bëhen në interes të grupeve të caktuara në shoqëri. Mendoj se është koha e fundit për t’i ndërprerë këto. Natyrisht, ne edhe si subjektet që do të jenë në opozitë, por edhe qytetarët, duhet të jenë më të vëmendshëm, në mënyrë që të ketë një kontroll sa më të madh ndaj institucioneve, në radhë të parë ndaj veprimeve të qeverisë. Megjithatë, shpresojmë se do të jetë një ndryshim pozitiv në të ardhmen.
INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI