Ndërlidhjet

KUR DO TË KTHEHET NGA SERBIA FONDI PENSIONAL?


Nadie Ahmeti

Pensionistët e sistemit të dikurshëm pensional vazhdojnë të kërkojnë që autoritetet ndërkombëtare dhe vendore të bëjnë presion mbi Qeverinë serbe, që t’i kthejë kontributet e tyre, të cilat që nga viti 1999 gjenden në Serbi. Udhëheqës të Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës thonë se deri në fund të vitit 1998, kjo sindikatë ka numëruar mbi 89 mijë kontribut-dhënës, që kanë deponuar mjetet e tyre për sigurimin invalidor, pensional dhe familjar. Fatmir Fehmiu, udhëheqës i kësaj sindikate, tha se me rrënimin e autonomisë së Kosovës në mënyrë anti-ligjore, kontributet e pensionistëve shqiptarë janë bartur në Serbi. Fehmiu tha se në fillim të vitit 1998 u ndalua dhënia e pensioneve vetëm në viset ku filluan konfliktet, ndërsa në fund të po këtij viti, pensionet u ndaluan në përgjithësi, përveç për pensionistët serbë dhe disa malazezë. “Kjo masë ka qenë; i kanë pasur vendimet dhe i kanë marrë pensionet. Por, në procedurë kanë qenë të dorëzuara gjithmonë sipas shënimeve të BVI-së, më vonë sipas Fondit të Serbisë edhe 2500 lëndë, duke mos e llogaritur atë numrin e punëtorëve, të cilët i kanë dëbuar nga puna dhe kanë fituar të drejtën e pensionit, sipas ligjit gjithmonë në fuqi”, thotë Fehmiu. Shuma e këtij fondi, që, sipas tij, e ka grabitur Serbia, arrin në mbi 2 miliardë euro. “E gjithë kjo është vetëm vlerësim. Për të pasur një pasqyrë konkrete, duhet të merren të gjitha këto kategori, plus njerëzit që kanë dhënë kontributet e u është ndërprerë sigurimi më vonë, kategorinë e arsimtarëve, kategorinë e punëtorëve shëndetësorë, kategorinë e punëtorëve të Trepçës, që i kanë dëbuar nga puna”, thekson Fehmiu. Ndryshe, ai thotë se për kthimin e këtij fondi nuk janë angazhuar shumë as institucionet ndërkombëtare, por as ato vendore. “UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës është dashur t’i zbatojnë normat, që quhen Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, që garantohen edhe me ligjin e vetë Serbisë. Nuk mund të parashkruhen, nuk mund të shkelen dhe nuk mund të merren të drejtat e fituara në mënyrë ligjore”, thotë Fehmiu. Në anën tjetër, Ibrahim Selmanaj, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se kjo ministri është angazhuar me të gjitha kompetencat që ta kthejë këtë fond në Kosovë, por përpjekjet kanë qenë të kota, pasi, sipas tij, edhe gjatë bisedimeve që janë zhvilluar në Vjenë, palës kosovare i është mohuar e drejta të bisedojë për këtë çështje. “Kemi qenë të privuar nga e drejta e marrjes së ndonjë vendimi apo hapi konkret, duke pasur parasysh Rezolutën 1244 dhe të drejtat tona, ose vendimmarrjen që nuk e kemi pasur absolutisht nën kompetencat tona, por gjithherë PSSP-ja ka qenë organi më i lartë”, shprehet Selmanaj. Megjithatë, ai thotë se mekanizmat ndërkombëtarë kanë pohuar se kjo çështje duhet të diskutohet pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. “Absolutisht nuk janë marrë me këtë problem dhe kanë thënë se kjo është një e drejtë që duhet të diskutohet pas zgjidhjes së statusit, duke marrë parasysh obligimet e ndërsjella në mes të dy shteteve”, tha Selmanaj. Ndryshe, pensionistët kosovarë edhe tash ballafaqohen me kushte të vështira socio-ekonomike, për shkak se nga buxheti i Kosovës marrin nga 40 euro në muaj. Ndërkaq, në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pensionistëve kontribut-dhënës, që përbëjnë një të tretën e popullsisë aktuale në Kosovë, t’ua rrisë pensionet nga 40 në 75 euro. Ky vendim i qeverisë që kap shumën prej 16 milionë eurosh, do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2008.
XS
SM
MD
LG