Ndërlidhjet

KOMBET E BASHKUARA


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se nëse nuk do të gjendej shpejt zgjidhja politike për Kosovën, do rrezikohej puna disa vjeçare e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në një raport për Këshillin e Sigurimit, Ban Ki-Moon thotë se jostabiliteti në Kosovë mund të shtrihet më gjerë në rajon.
"Status quo-ja me siguri nuk do jetë e qëndrueshme. Nëse ngecja vazhdon, ngjarjet në teren mund t'i vënë në rrezik arritjet e Kombeve të Bashkuara", thotë ai. "Ecja përpara me procesin e përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës duhet të mbetet prioritet i lartë për Këshillin e Sigurimit dhe për bashkësinë ndërkombëtare", shkruan Ban Ki-Mon.
Ai thotë se "pasiguria dhe humbja e dinamikës për të shkuara përpara në procesin e statusit, mund të krijojë rrezik jostabiliteti, si në Kosovë, ashtu edhe më gjerë në rajon, por edhe rrezik të mundshëm për sigurinë e personelit të KB". Në raport, Ban Ki-Moon u bën thirrje serbëve dhe shqiptarëve që t'u mbeten besnikë zotimeve për t'u përmbajtur nga dhuna.
Kreu i organizatës botërore thotë se zgjedhjet në Kosovë ishin të lira e të drejta dhe "në pajtim me standardet ndërkombëtare". Ai thotë se ato ishin paqësore dhe ishin "indicie për pjekurinë e institucioneve të përkohshme të Kosovës".
Duke shtuar se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e 17 nëntorit ishte "dëshpërimisht shumë e ulët", Ban Ki-Moon përmend frikësimin e kandidatëve dhe votuesve serbë, që pasoi thirrjen e Beogradit për bojkotim të zgjedhjeve. Ai shpreh keqardhje se serbët e Kosovës "nuk ndjehen të përfaqësuar", ndërsa "për të siguruar shërbimet bazike vazhdojnë të varen nga strukturat paralele, të cilat mbështeten nga autoritetet në Beograd".
Kombet e Bashkuara mbeten të "përkushtuara për t'i ndihmuar Kosovës në rrugën e saj drejt stabilitetit të qëndrueshëm", thotë Ban Ki-Moon. Në raportin drejtuar Këshillit të Sigurimit, ai gjithashtu shkruan se "përkushtimi në rritje i institucioneve të Bashkimit Evropian për Kosovën është i rëndësishëm, ashtu siç është edhe perspektiva evropiane për Kosovën".
XS
SM
MD
LG