Ndërlidhjet

SCHWARZENBERG: KOSOVA DO TË BËHET SHTET I PAVARUR


Albana Isufi

Ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, ka thënë se në një kohë të duhur Çekia do ta përkrahë deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Ai, gjatë takimeve që ka zhvilluar me liderët kosovarë, ka thënë se treni i Kosovës është duke ecur mirë në binarët e tij dhe se në këto momente ajo që më së shumti duhet, është sjellja paqësore nga ana e kosovarëve. “Nuk duhet të harrojmë se tani Kosova është një komunitet autonom, që shumë shpejt do të bëhet shtet i pavarur”, tha ministri çek, pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu. Ministri çek ka thënë se pozicioni i Çekisë karshi shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të jetë në përputhje me atë të vendeve tjera të Bashkimit Evropian. “Mendoj se do të veprojmë në koordinim me shtetet tjera të BE-së, do të kemi diskutime në Bruksel dhe mendoj se do të vendosim një qëndrim të përbashkët”, tha Karel Schwarzenberg. Kryediplomati çek ka thënë se zyrtarët serbë gabojnë kur thonë se BE-ja nuk duhet të angazhohet në Kosovë, meqë, sipas tij, Bashkimi Evropian ka përgjegjësi për Kosovën. “Mendoj se ka një gabim këtu, mendoj se Bashkimi Evropian duhet të jetë i angazhuar në Kosovë. Kosova është në Evropë. Kosova është përgjegjësi evropiane dhe BE-ja duhet të angazhohet me një mision me mandat të fuqishëm”, tha Schwarzenberg. Ai po ashtu e ka quajtur si një gjë të padëshirueshme deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, se ndarja është një nga opsionet për Kosovën. ”Do të jetë një gjë shumë e trishtueshme, nëse kjo do të ndodhë “, tha Karel Schwarzenberg. Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se institucionet do të jenë shumë të përkushtuara në ecjen drejt krijimit të shtetit të pavarur dhe të qëndrueshëm të Kosovës. “Ne do të jemi shumë të përkushtuar në ecjen e qëndrueshme të Kosovës për shtetin e pavarur të të gjithë qytetarëve, edhe të shumicës së përgjegjshme në relacion me pakicat, por po ashtu të një ecjeje të përbashkët të një Kosove që do të jetë faktor i rëndësishëm në krijimin e stabilitetit, pra që të marrë përgjegjësitë në këtë drejtim”, tha presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri i ri Hashim Thaçi ka siguruar sot se pavarësia e Kosovës është çështje kohe dhe se shpalljen e saj nuk mund ta pengojnë zgjedhjet serbe e as ndonjë gjë tjetër. “Për shpalljen e pavarësisë nuk ka pengesë; është vullneti i dy milionë qytetarëve të Kosovës, është përkrahje ndërkombëtare, por kërkohet që të respektohet natyrisht procesi dhe aspekti procedural i domosdoshëm kosovar dhe ndërkombëtar”, tha kryeministri Thaçi. Kurse, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili po ashtu ka takuar ministrin e Jashtëm çek, ka siguruar se procedurat parlamentare për shpalljen e pavarësisë do të jenë gati në kohën e duhur. “Procedurat parlamentare do të jenë të gatshme në kohën kur të kërkohet dhe do të kryhen me përkushtim dhe përgjegjësi”, tha kryeparlamentari Krasniqi. Ndryshe, ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, ka takuar sot edhe zëvendësshefin e UNMIK-ut, Larry Rosin, si dhe ministrin serb të Kthimit, Boban Stankoviq.

XS
SM
MD
LG