Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS NË ‘ETHET ZGJEDHORE’, TË MBËSHTESIN TADIQIN APO NIKOLIQIN?


Zijadin Gashi

Serbët e Kosovës po përgatiten të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të caktuara për datën 20 janar. Autoritetet ndërkombëtare, si edhe në rastet e mëparshme, thonë se nuk do t’i organizojnë, por as nuk do t’i pengojnë ata që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje. Një nga liderët e serbëve në pjesën veriore të Kosovës, Momir Kasalloviq, thotë se vetëm rrethi i Mitrovicës ka një trup prej mbi 46 mijë votuesve, që duan të dalin në këto zgjedhje. Ai thotë se komisioni republikan i zgjedhjeve në Serbi, që shtrihet edhe në Kosovë, tashmë i ka vënë kontaktet edhe me UNMIK-un. “Përfaqësuesit e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, para pak ditësh, kanë zhvilluar takim me përfaqësuesit e administratës së UNMIK-ut, me të cilët janë marrë vesh që kutitë e votimit të përcillen dhe të sigurta të kalojnë në duart e komisionit për numërim”, thotë Kasalloviq. Ndërkaq, zëdhënësja e OSBE-së në Kosovë, Eli Fleen, thotë se misioni i OSBE-së nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet serbe. “Ne nuk kemi të bëjmë me këto zgjedhje, por natyrisht që nuk do t’i pengojmë ato, pasi që janë krejt jashtë kompetencave tona”, thotë zëdhënësja Fleen. Interesimi i qytetarëve serbë për zgjedhjet presidenciale në Serbi, sipas disa prej të anketuarve, nuk është aq i madh, si prezantohet nga organizatorët. Marija Markoviq thotë se nuk e ka gjetur emrin e vet në listat e votimit, por, shton ajo, edhe sikur ta kishte mundësinë e votimit, nuk do të dilte fare në zgjedhje. “Edhe po të kisha mundësi të marr pjesë, nuk besoj se do të votoja, sepse nuk besoj që mund të ndryshoj diçka, ngase ndihem mjaft e zhgënjyer me skenën politike”, thotë qytetarja Markoviq. Mirëpo, ka qytetarë tjerë që duan të dalin dhe të votojnë për ta mbështetur opsionin dhe kandidatin e tyre të preferuar. “Gjithsesi që do të dal në zgjedhjet presidenciale dhe do të votoj për opsionin demokratik, konkretisht për Boris Tadiqin, i cili paraqet vizion më të mirë si për serbët e Kosovës, ashtu edhe për perspektivën e Serbisë në Evropë”, thotë qytetari Sasha Janiçeviq. Ndërkohë, duke komentuar efektet e rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Serbi, njëri nga liderët e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, mbështet fitoren e presidentit aktual Tadiq, në garë me kundër-kandidatin e tij, radikalin Tomisllav Nikoliq. “Nëse Tomisllav Nikoliq fiton, mund të presim që qysh ditën e parë pas zgjedhjeve, fuqitë e mëdha të vijnë në përfundim se në Serbi nuk ka ndryshime, ajo mbetet e njëjta Serbi nga koha e Millosheviqit dhe kjo do ta shpejtojë pavarësinë e Kosovës”, vlerëson Ivanoviq. Ndërkaq, me presidentin Tadiq në krye, Serbia, sipas tij, mund të ketë edhe një shans që ta mbajë Kosovën në kuadër të kufijve të saj. Zgjedhjet në Serbi janë caktuar për 20 janar, ndërkaq raundi i dytë, nëse do të ketë nevojë për të, më 3 shkurt. Në raportin e fundit për Kosovën, Grupi Ndërkombëtar i Krizave parasheh se Kosova, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, do të presë përfundimin e këtyre zgjedhjeve para se të shpallë pavarësinë e saj, si përpjekje e perëndimit për të ndihmuar opsionin demokratik, që thuhet se përfaqëson presidenti aktual serb, Boris Tadiq dhe pamundësuar kështu ardhjen e radikalëve në pushtet.

XS
SM
MD
LG