Ndërlidhjet

SË PARI PAVARËSIA, APO KUSHTETUTA DHE SIMBOLET?


Albana Isufi

Kushtetuta dhe simbolet shtetërore - para apo pas pavarësisë? Kreu i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, mendon se më e rëndësishme është që Kosova ta fitojë pavarësinë, të tjerat do të vijnë në kohën e duhur. “Njëherë ta bëjmë pavarësinë dhe besoj se edhe Kushtetutën dhe simbolet do t’i kemi në kohën e duhur”, thotë Krasniqi. Por, ekspertë për çështje kushtetuese mendojnë se logjika e krijimit të një shteti të ri kërkon që edhe simbolet, edhe Kushtetuta të miratohen para se të shpallet pavarësia e një vendi. Profesori për çështje kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Avdullah Robaj, thotë se kjo logjikë është aplikuar edhe nga ish-republikat jugosllave me rastin e pavarësimit të tyre. “Simbolet dhe Kushtetua duhet t’i paraprijnë shpalljes së pavarësisë. Pra, pavarësia nuk duhet ta gjejë Kosovën pa simbole dhe pa Kushtetutë. Këto tani do të duhej të ishin kryer, ose të kryhen sa më parë, para pavarësisë”, tha Robaj. Por, eksperti për çështje të shtetit, Muhamet Kelmendi, thotë se ekzistojnë dy mundësi të miratimit të Kushtetutës dhe simboleve; edhe para, edhe pas shpalljes së pavarësisë. Ai preferon të parën. “Mundësia e parë është që krahas shpalljes së pavarësisë, apo paraprakisht të gjitha simbolet që janë sinonime të shtetit të pavarur dhe sovran, të dalin nga Kuvendi, të marrin fuqishmërinë e tyre dhe natyrisht të futen në zbatim në momentin ose ditën kur shpallet pavarësia. Në anën tjetër, kemi mundësinë që simbolet dhe Kushtetuta, pas shpalljes së pavarësisë, të shpallen nga Kuvendi”, theksoi Kelmendi. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës është çështje javësh. Por, a janë të mjaftueshme javët për miratimin e simboleve shtetërore dhe aktit më të lartë juridik? Avdullah Robaj shpjegon: “Tash, koha është shumë e limituar. Kur them se do të duhej të ishin të miratuara, mendoj se do të duhej ishin që në fillim të dhjetorit apo në fillim të janarit. Tani, sa më shpejt, aq më mirë, sepse kur e kemi Kushtetutën, ajo e rrumbullakon edhe shpalljen e pavarësisë, sepse në Kushtetutë, në fakt, parashihet edhe Kosova si shtet. Kështu që ne e kemi zgjedhur rrugën e gabuar, nëse e shpallim pavarësinë, pastaj Kushtetutën; atëherë mendoj se kemi bërë veprime të kundërta”, u shpreh Robaj. Ndryshe, shpalljes së pavarësisë së Kosovës do t’i paraprijë deklarata e pavarësisë, që, sipas liderëve kosovarë, do të hartohet në koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Eksperti i çështjeve kushtetuese, Avdullah Robaj, mendon se në këtë pikë institucionet kosovare duhet të jenë më këmbëngulëse dhe të mbajnë një qëndrim të tyre të fortë politik. “Institucionet e Kosovës duhet të jenë këmbëngulëse dhe koordinimi në rastin e Kosovës është specifik apo ‘sui generis’, sepse pavarësitë, vendet i shpallin pa e pyetur komunitetin ndërkombëtar. Ajo është akt i vullnetit politik të popullit të një vendi. Në rastin konkret, meqë pavarësia e Kosovës është shumë ngushtë e lidhur me komunitetin ndërkombëtar, jam i asaj vije se bën të ketë përafrime apo koordinime, por, megjithatë, Kosova duhet të ketë një qëndrim të vetin politik në këtë rast”, tha Robaj. Në anën tjetër, Muhamet Kelmendi mendon se hartimi i përbashkët i deklaratës së pavarësisë nënkupton se Kosova nuk do të jetë plotësisht e pavarur. “Ne do të kemi një deklaratë, që do të na dalë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, e cila ndoshta do të përmendë sovranitetin dhe pavarësinë, por menjëherë do të na thotë se kjo pavarësi do të jetë në drejtim të aplikimit të planit të Ahtisaarit dhe e mbikëqyrur nga BE-ja dhe mekanizmat tjerë, që do të vendosen në Kosovë. Kështu që unë mendoj se pastaj, kjo periudhë më tepër do t’i ngjajë përgatitjes së Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran në të ardhmen, sesa të statusit përfundimtar, që e fiton Kosova me këtë”, tha Kelmendi. Sido që të jetë, tashmë është e qartë se në Kosovën e pavarur do të jetë i pranishëm misioni civil i Bashkimit Evropian, i cili do ta mbikëqyrë zbatimin e planit të Ahtisaarit, si dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej forcat paqeruajtëse të NATO-s.

XS
SM
MD
LG