Ndërlidhjet

Pavarësisht statusit, banorët e Lagjes së Boshnjakëve s'do të shpërngulen


Pavarësisht se cilat do të jenë rrethanat pas definimit të statusit politik të Kosovës, qytetarët duhet të vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e tyre. Kështu thonë disa serbë dhe shqiptarë, të cilët jetojnë në të ashtuquajturën Lagjja e Boshnjakëve, e cila është një nga tri vendbanimet me popullatë të përzier në pjesën veriore të Mitrovicës.

Jevrem Simiq, me përkatësi serbe, i cili deri në vitin 1999, me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij kishte jetuar në pjesën jugore të Mitrovicës, tash e më shumë se 9 vjet jeton në Lagjen e Boshnjakëve, duke shpresuar për një të ardhme më të mirë. “Në pjesën jugore të qytetit kam lënë gjithë pasurinë. Ndërkaq, në anën veriore po jetoj tash e 9 vjet. Ka qenë vështirë. Ka pasur mungesë të ujit dhe energjisë elektrike. Por, tash nuk ka ndonjë problem dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë”, tha Simiq.

Megjithëkëtë, ai thekson se ekziston një dozë frike, për shkak të paqartësisë lidhur me definimin e statusit politik të Kosovës. “Nuk është se jetojmë pa frikë, por çfarë të bëjmë. Ne jetojmë jetën tonë dhe shkojmë rrugës sonë. Tash për tash, askush nuk na ngacmon. Sa u përket shqiptarëve, ata le ta kërkojnë të veten, por ne nuk e japim veriun. Ata le ta bëjnë politikën e vet, ndërkaq ne do ta vazhdojmë politikën tonë”, u shpreh Simiq, duke shtuar se pavarësisht se çfarë do të ndodhë, ai është i vendosur të qëndrojë me familjen, të jetojë aty ku jeton tash.

Në anën tjetër, Muzaqete Beqiri, me përkatësi shqiptare, thotë se pavarësisht rrethanave ekzistuese dhe zhvendosjes së mjaft familjeve shqiptare nga pjesa veriore e Mitrovicës në vitin 1999, ajo nuk e ka lëshuar shtëpinë e saj, ku jeton me 8 anëtarë të familjes. “Familja ime, anëtarët e familjes, jemi plotësisht të sigurt në lagjen ku jetojmë, meqenëse jemi banorë të përhershëm të kësaj lagjeje”, tha Beqiri.

Ajo shtoi se pavarësisht se çfarë do të sjellë e ardhmja, pas definimit të statusit të Kosovës, ajo dhe familja e saj nuk mendojnë të largohen nga shtëpia. “Po jetoj këtu së bashku me komshinjtë. S’kemi probleme. Ne jemi qytetarë vendas dhe le të jetojmë. Pse jo? Populli duhet të jetojë”, u shpreh Beqiri.

Ndërkaq, Jelena Mirkoviq, me përkatësi serbe, po ashtu banore në Lagjen e Boshnjakëve, thotë se viteve të fundit ndjehet e sigurt në mjedisin ku jeton. “Nëse flasim për dy-tri vjetët e fundit, mund të them se ndjehem e sigurt, edhe pse jetoj në Lagjen e Boshnjakëve. Ky është vendbanim shumetnik”, tha Mirkoviq.

Ajo shtoi se kohët e fundit nuk ka pasur ndonjë incident ose veprim që do t’i bënte qytetarët të ndjeheshin të pasigurt. Sipas saj, nëse vjen deri te shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, ajo do të përpiqej që të mbetet dhe të vazhdojë të jetojë në shtëpinë e saj. “Nëse vjen deri te shpallja e njëanshme e pavarësisë, do të përpiqem që të mbetem këtu dhe të mos detyrohem që të shpërngulem”, tha Mirkoviq, duke shtuar se qëndrimi i serbëve në shtëpitë e veta do të varet nga sjellja e shqiptarëve jo vetëm ndaj serbëve, por ndaj të gjitha komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG